Dorëheqja e qeverisë/ Libanezëve nuk u mjafton: Të dorëhiqet parlamenti, dhe Presidenti!
Dritare.net
Mijëra libanezë të revoltuar kanë kërkuar heqjen e asaj që ata e shohin si një klasë e korruptuar në pushtet duke i fajësuar për problemet e vendit, dhe duke shtuar se dorëheqja e qeverisë të hënën nuk mjafton.
Një protestë me parullën "Varrosni autoritetet të parat" ishte planifikuar pranë portit, ku një material mjaft eksploziv i ruajtur me vite shpërtheu në 4 gusht, duke vrarë të paktën 200 njerëz, duke plagosur 6000 të tjerë dhe duke lënë qindra mijëra të pastrehë.
Kryeministri Hassan Diab, duke njoftuar dorëheqjen e kabinetit të tij, fajësoi korrupsionin endemik për shpërthimin, më të madhin në historinë e Bejrutit dhe që ndërlikoi një krizë të thellë financiare që ka shembur monedhën, paralizuar sistemin bankar dhe rritur drastikisht çmimet.
"Unë thashë më parë se korrupsioni është i rrënjosur në çdo kryqëzim të shtetit por kam zbuluar se korrupsioni është më i madh se shteti," tha ai, duke fajësuar elitën politike për bllokimin e reformave.
Bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar kanë ngecur mes një mosmarrëveshje midis qeverisë, bankave dhe politikanëve për shkallën e humbjeve të mëdha financiare.
Për shumë libanezë, shpërthimi ishte shkëndija e fundit në një krizë të zgjatur për rrëzimin e ekonomisë, korrupsionit, dhe qeverisë jofunksionale.
"Nuk mbaron me dorëheqjen e qeverisë", tha një parullë e protestës që qarkullonte në mediat sociale.
"Ende ka [Presidenti Michel] Aoun, [Kryetari i Parlamentit Nabih] Berri dhe i gjithë sistemi."-thonë protestuesit atje./ I.M-Dritare.net