Do të bësh mamografinë falas? Ja çfarë duhet të dish!
Dritare.net
Muaji tetor është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën. Ndryshe njihet si tetori rozë, pasi organizohet çdo vit, informon në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe rrit ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin. Në vendin tonë gratë dhe vajzat mund të kryejnë mamografinë falas gjatë këtij muaji, në qytet apo zona rurale. Çdo ditë nga data 1 deri në 31 tetor, nga e hëna në të premten, nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës dhe të shtunën nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 2 të drekës, do t’ju mundësohen kontrolle, në spitalet apo qendrat pranë vendbanimit.
Nëse jeni mbi moshën 30-vjeç mund bësh mamografinë falas për herë të parë. Por kontrollet periodike çdo vit duhet të vazhdojnë deri në moshën 70 vjeç. Krahas qendrave spitalore qendrore e rajonale, njësitë lëvizëse që do të mundësojnë mamografi edhe në zonat më të thella të Shqipërisë.
Përgjigjet për mamografitë vijnë tek pacientët gjithashtu përmes e-Albania.
Çfarë duhet të dimë tjetër?!
Mamografia nuk vendos diagnozën. Është mjeku ai i cili përcakton, nëse janë të nevojshme ekzaminimet shtesë, që përfshijnë ekografinë apo edhe biopsinë. Por të gjitha gratë apo vajzat mbi 30-vjeç, duhet të kryejnë çdo vit ekzaminimin klinik të gjirit (prekjen e gjirit) nga një mjek pranë një qendre shëndetësore. Me risk të lartë do të konsiderohen ato gra që janë bartëse të defekteve gjenetike, që kanë histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, në rastet kur është vërejtur fillimi i hershëm dhe mbarimi i vonshëm i menstruacioneve, moslindje ose lindja e fëmijës mbi 30 vjeç, obezitet, ind i ngjeshur të gjirit dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik, sipas ISHP (Instituti i Shëndetit Publik).
Si mund të zbulohet kanceri i gjirit?
Nëse rrezikoni për kancer gjiri, është e mundur që të kryeni:
• Teste depistuese në moshë më të re dhe më shpesh se rekomadimet;
• Vlerësim të riskut gjenetik;
• Disa trajtime parandaluese siç janë marrja e anti-estrogeneve ose kirurgjia profilaktike;
Nuk ka rëndësi se çfarë moshe keni, kujdesi për gjinj të shëndetshëm, fillon me njohjen e tyre. Bëhuni e vetëdijshme, se çfarë është normale tek gjinjtë tuaj, kjo vetëm duke bërë një kontroll të rregullt të tyre. Shumë gra e zbulojnë vetë kancerin e gjirit të tyre vetëm dukë parë dhe ndjerë ndryshimet në gjinjtë e tyre.
Ndaj, flisni dhe tregoini mjekut nëse vëreni në gjinjtë tuaj ndonjë ndryshim, të tille si:
• Gjëndër apo kokërr në gji ose nën sqetull
• Ndryshim në formë ose në
madhësi të gjirit
• Ndryshim në lëkurën e gjinjve tuaj
si p.sh., gropëza ose tërheqje të saj
nga brenda
• Skuqje, enjtje në gjinjtë, rreth tyre
apo nën sqetull
• Rrjedhje lëngu nga thitha e gjirit
• Shfaqje e koreve ose luspave në
thithën e gjirit
• Puçrra të imta në majën e gjirit apo
rreth tij
• Dhimbje e vazhdueshme në një
pjesë të gjirit tuaj, apo nën sqetul
Po ashtu nuk duhet të harroni se aktiviteti fizik, ruajtja e një peshe normale të trupit, si dhe ushqyerja e shëndetshme ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit.
Çfarë ju vendosni të bëni sot, mund të ndikojë në shëndetin e ardhshëm të gjirit tuaj!/M.K-dritare.net