Dhuna në Kuvend! Reagojnë ndërkombëtarët: Kjo nuk është rruga drejt BE-së!
Dritare.net
Ndërkombëtarët kanë reaguar duke dënuar tensionet në Kuvend ditën e djeshme (30 shtator), ku opozitarët dogjën edhe karriget.
Përmes një deklarate zyrtare ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato u shpreh:
“Është për të ardhur keq, që disa përfaqësues të opozitës dje përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në Kuvend. Çfarë do lloj qëndrimi apo ideje që mund të kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin.
Gjithashtu më duhet të them që në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësi nga më të ndryshmet duhet të shprehen në mënyrën e duhur dhe nuk duhet që të përdoret dhunë apo që të behet dhunë apo që të bëhen dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin.
Kuvendi duhet të luajë rolin e duhur që Shqipëria të behet një vend anëtar në një demokraci funksionale. Prandaj thirrja që unë u bëj të gjithëve në këtë moment është tu ktheheni dialogut. Gjithashtu të shmangen sulmet personale apo verbale. Lutem që të ulet përshkallëzimi”, tha ambasadori.
Po ashtu edhe ambasada amerikane në Tiranë ka dënuar sjelljen e deputetëve në Kuvend.
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ndër të tjera edhe ambasada britanike ka reaguar, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në demokraci.
“Dhuna nuk ka vend në demokraci. Ambasada Britanike u kërkon të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare.
Ambasada Britanike dënon veprimtarinë që synon të minojë këto parime dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur popullin dhe demokracinë e Shqipërisë”, shprehet ambasada./M.K-dritare.net