
Nga Henri Telharaj- Drejtor Ekzekutiv "Këshilli Shqiptar për problemet e Lojërave të Fatit’’
Këto janë kohë të vështira, jo vetëm për Shqiptarët, por për këdo në botë. Qëndrimi mbyllur dhe izolimi është eksperiencë e vështirë. Është e rëndësishme të qëndrojmë pozitivë dhe të shpresojmë se kjo do të mbarojë së shpejti.
Si pasojë e COVID – 19 dhuna në familjë është në rritje këtë periudhë. Shumë evidenca e tregojnë këtë, familjarë që shkruajnë në media online, dëshmi në linja këshillimi, dhe së fundmi rasti i denoncuar të premten mbrëma ishte tragjik.
‘’Babai shiti rrobat e familjes për shkak të varësisë nga KUMARI.’’
Kryefamiljari, një nga personat përgjegjës për mirëqënien e familjes, mburoja e supozuar e saj, HEROI i vajzës së vet shiti rrobat e familjes dhe dhunoi gruan në sy të vajzës 6 vjeçare sepse ajo zbuloi se ai shiti rrobat e familjes vetëm për të ushqyerin vesin e tij të kumarit.
Varësia nga kumari është faktor kryesor në dhunën në familje.
Ky fakt është prezent te pothuajse të gjithë individët me varësi patologjike. Tendenca për të qënë të dhunshëm i ndjek në cdo moment që ndihen të pamundur financiarisht apo ndihen në trysninë e fajit. Kjo rritje e agresivitetit nuk prek vetëm bashkëshortët, por edhe ata më të ‘’dobëtit’’, fëmijët dhe të moshuarit. Fatkeqësisht dhuna derivon në shumë kategori: fizike, verbale dhe emocionale.
Faktorët që mund të influencojnë te agresiviteti i individëve me varësi këtë periudhë janë:
· Izolimi nga COVID-19
· Pamundësi financiare për të paguar faturat
· Depresioni dhe ankthi
· Papunësia
· Debatet në shtëpi rreth financave
· Frustrimi nga rregullat e qëndrimit në shtëpi
· Ironitë e hedhura për të kaluarën nga anëtarët e familjes për shkak të situatës jo të mirë në shtëpi
· Pamundësia për të vendosur baste në moment të caktuara, apo pamundësia e të shkuarit në kazino
Të gjitha këto arsye mund të cojnë drejt dhunës në familje, fatkeqësisht edhe drejt krimeve më të rënda.
Nga telefonatat në ‘Linjën e këshillimit për varësinë e lojërave të fatit’ në përgjithësi ka pasur më shumë komunikime nga familjarë të shqetësuar mbi varësinë e personit të tyre të zemrës, por kjo varësi është afër të pamundurës që të shërohet nëqoftëse vet personi nuk e pranon varësinë.
Po, në situata të caktuara familjet do ishte mirë të informoheshin rreth varësisë por edhe të merrnin disa këshilla mbi komunikimin me këta persona. Ndërsa në situata delikate do të ishte mirë që familja të mbronte veten e saj, financiarisht por edhe moralisht.
Cdo rast ka nevojë për këshillim specifik./dritare.net

















