
Dy emra femërorë që kanë dalë për herë të parë në DritareTV janë kandidate për deputete në listat e hapura të PS-së. Listat e PS-së janë plot me emra të rinj, një pjesë prej të cilëve nuk i njohim, por na dha kënaqësi përfshirja në garë, e dy emrave që i kemi prezantuar me publikun për herë të parë në Dritare. Ina Majko dhe Vera Ndrecaj. Ina, kandidon në Vlorë dhe Vera në Shkodër, janë përfaqësuese të listave “Deputeti që duam”.
Por kush janë Ina Majko dhe Vera Ndrecaj!

Ina Majko është një zbulim i gazetares Rudina Xhunga. Me Inën, romen e mrekullueshme jemi njohur për herë të parë në Dritare.net që në 2017-ën, në një intervistë të bukur. Ina erdhi sërish në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv në 2023-shin për të treguar si ka ndryshuar jetë e saj që nga 2017-ta, pas intervistës në Dritare.net. Nëse atëherë në intervistë tregoi si e bullizonin në gjimnaz, në 2023-shin erdhi në Shqip për të ndarë arritjet e saj siç është dhe lëvizja “Romët krenarë”.
“Për herë të parë jam prezantuar me Dritaren në 2017-ën, kur dhashë një intervistë. Ajo që më bëri shumë përshtypje në atë intervistë ishte titulli “Historia e Inës, romes së mrekullueshme!” Është hera parë që shoh një epitet të mirë që i vendoset mbas fjalës “romë”. Sepse përgjithësisht nuk vihen superlativa të tilla, por vendosen epitete negative, i varfër, hajdut, problematik. Për herë të parë në 2017-ën në artikullin e Dritare.net lexova një fjalë të mirë për romët. Ju më dhatë forcë, ju më hapët një dritare.
Unë kam lindur në një familje rome, ku gjithmonë na është thënë që jemi ndryshe. Nuk e kuptoja pse isha ndryshe, e dëgjoja, po s’e kuptoja. Në intervistën për Dritare.net, në 2017-en unë tregova momentin kur u ballafaqova me faktin që jam rome. Si më bullizonin në gjimnaz se isha rome. Në intervistën tuaj kam folur për diskriminim që kam hasur, por sot nuk dua të flas më këtë. Bullizimi mua më ka bërë më të fortë. Ndaj sot dua të flas për gjërat e mira që kam bërë, për arsyet përse ne duhet të jemi krenarë që jemi romë.
Unë kam nisur një emision radiofonik të ri, “Romët krenarë”! Është një podcast ku flasim për romët dhe dëgjojmë romët. Po ashtu do flitet edhe për aleatët që na kanë ndihmuar me lëvizjen tonë, siç jeni dhe ju Rudina Xhunga dhe DritareTV. Unë kam shumë dëshirë të marr të rinj romë në emision, që kanë bërë diçka të bukur, por nuk kanë ku të flasin. “Romët krenarë” nuk është një financim, një donacion nga ndonjë organizatë që merret me romët. Është një lëvizje. Drejtori i Radio Tiranës, Bojken Lako ishte krenar kur mori vesh që unë do bëja një emision për romët, sepse më në fund u dha mundësia që të dëgjohet zëri rom. Kjo është një fitore për ne romët. Ndaj sot dua të jap dhe një mesazh për romët. Unë jam kjo që jam sot nga bullizimet që më janë bërë. Sado e çuditshme që duket, unë i falënderoj ata që më kanë bullizuar, sepse më kanë bërë më të fortë. Mesazhi im për të rinjtë që bullizohen në gjimnaz është: Bullizimi do t’ju bëjë më të fortë, por mos i besoni! Ju duhet të jeni krenarë që jeni romë!”, tregoi Ina në DritareTV.

Vera Ndrecajn doli për herë të parë në DritareTV në emisionin “Jeta ime”. Ndrecaj është akademike në Cardiff të Mbretërisë së Bashkuar ku edhe punon si pedagoge dhe këshilltare e qeverisë britanike për inovacionin. Zonja Ndreca rrëfeu në DritareTv rrugëtimin e saj të jetës në Dritare TV, ku na tregoi si la Shkodrën për të ndërtuar një jetë të re në Cardiff. Megjithëse e realizuar dhe me një karrierë të suksesshme, pengu i saj ngelet Shqipëria, vendi për të cilin thur ëndrra e plane. Së fundmi ajo ka vendosur që të kontribuojë për Shqipërinë, përmes kandidimit për deputete në platformën “Deputeti që duam”. Vera e kaloi fazën e parë, tani kandidon për deputete për Shkodrën.
“Unë kam aplikuar në platformën “Deputeti që duam” për të shprehur interesin tim, për të dhënë kontributin tim. Unë vazhdoj të jem profesoreshë në Cardiff. Aplikimi në platformën ”Deputeti që duam” nuk e prek fare karrierën time në Britani të Madhe. Unë kam parë qasjen e PS-së, platformën “Deputeti që duam”, si një dritare për të thithur talente, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Diasporë. Për mua ka qenë një proces që unë kam shprehur dëshirën time, kënaqësinë dhe obligimet e mia për vendin tim. Unë personalisht do vendos mundësitë e mia në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Arsyeja pe po kandidoj është sepse në pikëpamjen, Shqipëria është në një moment historik. Shqipëria dhe qeveria po punojnë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Duke pasur parasysh këtë fakt, është e domosdoshme për një vend si Shqipëria të përgatitet të hyjë në Evropë me standardet që janë shumë më të avancuara se kapacitetet në Shqipëri, ka nevojë për njerëz që janë specialistë në fusha të ndryshme. Kjo është shtysa ime për të shprehur interesin tim për të ardhur në Shqipëri, për t’u shërbyer shqiptarëve, për të ndryshuar diçka. Sepse besoj në eksperiencën time ndërkombëtare. Për këtë arsye kam vendosur të punoj me përulje për vendin tim.”, tha zonja Ndrecaj në DritareTV.
Ne jemi të kënaqur që të kontribuojmë ta përmirësojmë politikën, duke sjellë në ekran emra të rinj, të cilët më pas bëjnë rrugën e tyre. Suksese Ina dhe Vera! Suksese zonjave dhe të rinjve në garë! Urojmë që në Shqipëri të ketë sa më shumë emra të rinj në politikë. I urojmë suksese Inës e Verës dhe do jemi këtu për t’i mbështetur, jo vetëm ato, por të gjithë ata te të cilët besojmë./dritare.net

















