
Denoncohet për korrupsion/ Shkarkim i menjëhershëm për sanitaren e COVID 2!
Dritare.net
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka reaguar menjëherë pas shfaqjes së një denoncimi për korrupsion në spitalin COVID 2. Ajo ka dënuar veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., të spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”.
Vajza e një zonje 55-vjeçare, e cila humbi betejën me kovid pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, denoncoi faktin se një sanitare e këtij spitali, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.
Komunikimet mes vajzës së të ndjerës dhe punonjëses së spitalit “Shefqet Ndroqi”, i publikoi emisioni ‘Stop” dhe aty duket qartë abuzimi me detyrën dhe ryshfeti nga ana e zonjës me iniciale T.A.
“Në fund të nëntorit, mami im është shtruar në spitalin Shefqet Ndroqi. Skaneri, të gjitha kanë dalë që ka qenë me Covid. Ia kemi bërë të gjitha në mënyrë private në shtëpi. Kishim marrë mjekë privatë, oksigjenin, të gjitha. Nuk mundi t’ia dilte dot. I plasi hemorragji nga hundët, i ranë parametrat dhe ishim të detyruar ta çonim në spital. Morëm ambulancën, shkojmë në spital e lenë për 3 orë brenda në ambulancë dhe në ato momente nuk njihnim asnjë. Infermierët ishin shumë në mbingarkesë.
Një zonjë në derë më thotë jam infermiere. Emri i saj është Tire Alldervishi. Thotë, nëse ke nevojë për ndihmë, se të shikoj shumë të ngarkuar, më thuaj se unë jam shumë infermiere. Ishte pa uniformë në ato momente. Më tha do ngjitem, do vishem dhe më prit poshtë të vishem. E prita, aty më merr numrin e telefonit zonja dhe më thotë që do mbajmë kontakt, më prit tek lokali. E pres, vjen poshtë dhe më thotë situata është shumë e rëndë dhe siç e ke parë dhe vetë, është një mbingarkesë shumë e madhe dhe na duhet pagesa që infermieri apo mjeku t’i rrijë tek koka apo kushdo tjetër”,
Turni i parë që në mëngjes ishte 50 mijë lekë për infermierët, 50 mijë lekë për Tire Alldervishin, 20 mijë lekë për sanitaren. Përveç kësaj një ditë ishte 100 mijë lekë për doktoreshën dhe 50 mijë lekë ishte për ditën tjetër për doktoreshën. Pastaj vinte turni tjetër dhe ishte e njëjta histori. Me të njëjtën shumë. Të gjithë lekët i merrte Tirja. Asaj i janë dhënë të gjitha lekët. Takimet janë bërë nga ajo. Kam mesazhet nga mami im që më thotë ‘ku je se po të pret Tirja për të marrë lekët e infermierit, sepse ka ndryshuar tuuni’. Herë pas here detyrohesha të lija punën që të kapja turnin e ndërrimit të mjekëve që të jepja lekët. Ishte si një lloj detyrimi. Lija punën që të shkoja të bëja pagesën”
Shuma që Tirja ka marrë nga unë është 8 milionë e pak lekë të vjetra. Duke qenë shumë ditore 250, 300 për një muaj dhe shumë e shumë të tjera që blija e i fusja në spital. Ushqimin e fusja vetë. Ujin e fusja vetë. Pampersin vetë. Insulinën vetë. Ilaçin e gojës e të gjitha gjërat që spitali duhet t’i ketë. Edhe pse mami im sot nuk jeton më, ka ndërruar jetë më 25 Dhjetor, arsyeja është duke qenë se jemi shtet dhe kemi dëgjuar nëpër media që shëndetësia është falas, shëndetësia nuk kishte as edhe termometër. Mamaja ime më kërkonte me mesazhe, më sill termometër se më duhet për temperaturën. Që nga uji, më sill ujë për të pirë. As ujë dhe unë ia çoja vetë. Të gjitha i kam të shkruara që mami i kërkonte nga jashtë, duke filluar nga ushqimi, uji dhe të gjitha, pampersi dhe çdo gjë tjetër”, ka rrëfyer vajza e të ndjerës.
Reagimi i ministrisë pas videos së shfaqur në "STOP", ka qenë i menjëhershëm, duke i kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin nga detyra të sanitares me inicialet T.A, por autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund.
“Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrsesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon”, thuhet në njoftimin e ministrisë./M.M-dritare.net

















