
Denaj: Inkurajojmë biznesin të fiskalizohet, mbështetje për zbatimin me korrektësi dhe brenda afateve
Dritare.net
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve Znj.Delina Ibrahimaj zhvilluan një vizitë pranë shtëpisë botuese “Botime Pegi”. Botime PEGI e ka filluar aktivitetin në sektorin e shtypit dhe botimeve qysh në vitin 1994 me botime shkollore dhe artistike të autorëve të ndryshëm. Kjo shtëpi botuese, është një prej kompanive të para që ka filluar procesin e Fiskalizimit, që prej Janarit 2021. Gjatë kësaj vizite Ministrja Denaj u shpreh se Fiskalizimi është një mënyrë e re e të menaxhuarit të të dhënave tatimore i cili është në përmirësim të vazhdueshëm, me qëllim finalizimin me sukses të kësaj reforme të nisur.
“Jemi të angazhuar për rritjen e efektivitetit të këtij procesi duke e bërë atë sa më të thjeshtë për biznesin. Nga ana tjetër qasja jonë nuk është penalizuese, por mbështetëse me qëllim vendosjen e një metodologjie raportimi ndërmjet biznesit dhe Administratës Tatimore”, tha ministrja Denaj.
Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Znj. Delina Ibrahimaj, shprehu mbështetjen e plotë të Administratës Tatimore në lehtësimin e procedurave dhe të kostove kryesisht për biznesin e vogël, me qëllim informimin dhe nxitjen për fillimin e procesit të Fiskalizimit sa më parë. Ajo gjithashtu risolli në vëmendje përdorimin e portalit Self Care për lëshimin e faturave, i cili ofrohet pa pagesë. Deri më tani janë fiskalizuar mbi 4500 subjekte dhe janë lëshuar në total mbi 2.000.000 fatura të fiskalizuara për transaksione me dhe pa para në dorë.
Data 1 Korrik 2021 është afati për fiskalizimin e subjekteve që kryejnë transaksione pa para në dorë, Biznes me Biznes (B2B), dhe 1 Shtator 2021 është afati për fiskalizimin e subjekteve që kryejnë transaksione me para në dorë, Biznes me Konsumator ( B2C)./dritare.net

















