
Cakaj takon Wadephul: Shqipëria përparime të dukshme lidhur me detyrimet para Konferencës së Parë Ndërqeveritare
Dritare.net
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë ditës së sotme, zhvilloi një takim me Nënkryetarin e grupit parlamentar të CDU në Gjermani, Johann Wadephul.
Në fokus të bisedimeve ishin detyrimet e Shqipërisë, para Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Po ashtu, në takim u diskutua edhe për hapat që Shqipëria ka ndërmarrë për mbylljen e reformës zgjedhore, sipas vullnetit të palëve dhe në përputhje me përcaktimet në përfundimet e Këshillit të marsit 2020.
"Ndamë të njejtën pikëpamje se Shqipëria ka bërë një përparim madhor e fare të dukshëm sa i përket zbatimit të detyrimeve para Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Po ashtu, folëm edhe për hapat e mëdhenj që kemi bërë për mbylljen e reformës zgjedhore në përputhje të plotë me përcaktimet e Këshillit të Marsit 2020. Mirënjohës për mbështetjen e deri tanishme dhe gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin më tutje në shërbim të së ardhmes evropiane të Shqipërisë", shkruan Cakaj në facebook. /dritare.net

















