
Bruksel, PE i jep Tiranës titullin Qyteti Europian i Sportit 2023, Veliaj: Një super sukses
Dritare.net
Tirana është edhe zyrtarisht “Qyteti Europian i Sportit” për vitin 2023. Titullin e mori kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel. Veliaj shoqërohej edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli dhe zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, Endri Hoxha.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh krenar që sot Tirana është kryefjala e aktiviteteve më të madha sportive të vitit. “Falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë histori suksesi, duke qenë se janë me qindra qytetet që aplikojnë për këto tituj. Ky është aktiviteti më i madh sportiv që ndodh në Parlamentin Europian. Dua të falenderoj shumë grupin tonë parlamentar, deputetët, Taulant Ballën, kryetarin e grupit; dua të falenderoj deputetët e djathtë europianë, sidomos zv/Presidentin e Parlamentit Europian, nga e djathta - në dallim nga Shqipëria, këtu e majta dhe e djathta bashkëpunojnë për punë të mira, që të ecin përpara. Ky është një shembull që duhet ta ndjekim edhe ne. Por, ajo që është më e rëndësishmja, dua të falenderoj të gjitha strukturat tona sportive, duke filluar nga Drejtoria e Sportit të Bashkisë së Tiranës, Sport Klub Tirana, që do të jetë mikpritëse e pjesës më të madhe të aktiviteteve vitin tjetyër. Dua të falenderoj me gjithë zemër Komitetin Olimpik, Fidelin, Ministrinë e Arismit dhe të Sportit, Ertridin, Evisin. Si një familje kampionësh ne do të prodhojmë një super sukses për Tiranën tonë,” tha Veliaj.
Ai shprehu bindjen se viti 2023, që do t’i kushtohet tërësisht sportit në kryeqytet, do të jetë një parapërgatitje e mirë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2024 dhe ato Mesdhetare. “Është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike në 2024 dhe për Lojërat Mesdhetare në vitin 2026. Një njeri mund të fitojë një ndeshje, por duhet një skuadër për të fituar një kampionat dhe sot skuadra e Tiranës, e ka fituar këtë kampionat,” vijoi Veliaj.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që Tirana është “Qyteti Europian i Sportit” i radhës. Kjo është një mundësi e madhe për Tiranën, për të rritur vizibilitetin e saj, për të investuar edhe më shumë tek infrastruktura sportive për të gjithë sportet, sportet për minoritetet e ndryshme, për të rinjtë nëpër shkolla, për njerëzit aktivë, sportet për të moshuarit, për të rriturit. Ky është mësazhi i madh i sportit: që të bashkojë dhe të integrojë. Çdo euro e investuar në sporte, është një euro e ruajtur për çdo trajtim mjekësor të mundshëm lidhur me problemet e shëndetit. Sërish, urime miqve të mi në Tiranë dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë,” tha Andrey Kovatchev, anëtar i Parlamentit Europian dhe zv/President i Partive të djathta Popullore Europiane./dritare.net

















