
Bota duhet ta dijë: Shqiptarët shpëtuan hebrenjtë!
Dritare.net
Felicita Jakoel, kryetarja e shoqatës së miqësisë Izrael-Shqipëri e cila është gjithashtu një pasardhëse e një prej familjeve hebre që ka jetuar në Shqipëri gjatë periudhës së holokaustit ishte e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV. Zonja Jakoel, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, tregoi historinë e saj ndërsa theksoi se bota duhet ta dijë, që shqiptarët shpëtuan hebrenjtë.
“Komuniteti më i madh ishte në Vlorë, aty ata ishin. Babai im e ndan në tre valë ardhjen e hebrenjve në Shqipëri. Vlora ka patur një prezencë hebraike më të lashtë që nis që nga mesjeta. Unë vetë jam rritur me këto histori dhe kur në vitin 1990 unë kam shkuar për herë të parë në Izrael.
Më kanë kërkuar dhe takuar hebrenj nga Serbia, hebrenj nga Maqedonia, hebrenj nga Bullgaria. Nga ajo që më kanë treguar, kuptova se nuk është vetëm babai im që i tregon historitë e shpëtimit, por janë edhe shumë të tjerë që kanë histori të pabesueshme të strehimit në Shqipëri. Madje mund t’ju them historinë e një hebreje të quajtur Mimi, pasi më tregoi historinë e saj më mori duart dhe më tha: Shqiptarët na kanë shpëtuar, çdo njeri bëri diçka për të na shpëtuar në atë ferr të vërtetë. Sot historianët dhe studiuesit, apo ato që ka shkruar im atë vërtetojnë pikërisht këtë. Nuk kishte rëndësi nëse ishe i pasur apo fare i varfër.
Nuk bëhet fjalë për 200 hebrenjtë e Vlorës që u shpëtuan, por u shpëtuan të gjithë hebrenjtë që hynë në territorin Shqiptar, a mund të mjaftonte vetëm besa. Si ka mundësi që kjo dritë mirësie të vijë nga populli më i varfër i Evropës. Kjo ka ndodhur edhe nga Danimarka, por ata mbrojtën hebrenjtë vendas, jo ata të ardhur. Nga Evropa erdhën në Shqipëri dhe u shpëtuan. Mendoj se historianët, studiuesit dhe sociologët duhet të gjejnë një shpjegim.
Babai im me motrën dhe tre kushërinjtë e parë ishin strehuar në një shtëpi me qira te Pazari i ri në Tiranë pasi në Vlorë kishin ardhur shumë gjermanë. Por një ditë babai sheh dikë që ju tregonte me gisht gjermanëve shtëpinë tonë. Kështu babai i thotë kushërinjve unë do të largohem me motrën time dhe kështu shkuan në Kavajë te Shyqyri Myrto. Por kushërinjtë të nesërmen i arrestoi gjermani, që do të thoshte do shkonin drejt e në Aushvic.
U mor vesh në Vlorë që djemtë u arrestuan dhe kështu gjyshi im shkoi te Eqerem Bej Vlora dhe shkoi për ta takuar. Duke folur me Eqerem Bej Vlorën ai ju tregoi se më parë në zyrën e tij kishte qenë koloneli gjerman. E ndërsa bënin muhabet dhe gjyshi kishte dorën në xhep lëvizte disa monedha. Eqerem Bej Vlora e pyet se çfarë janë. Gjyshi i tregon monedhat e floririt. Dhe kështu në këtë mënyrë ai ju tregoi se paraja edhe në kohë lufte shërbente. Gjyshi u detyrua të paguante për të tre djemtë, ata vërtetë paguan, por ata u mbrojtën për jetën dhe nuk u tradhtuan kurrë. Ata nuk u spiunuan”, u shpreh Jakoel në Dritare TV./L.F-dritare.net

















