Bizneset e vogla i ankohen se po falimentojnë/ Basha: Mbahuni, s’do t’ju lëmë në mëshirë të fatit!
Dritare.net
Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka shkruar sot te disa biznese të vogla në zonën e Brrylit dhe te Xhamlliku. Pronarët e këtyre bizneseve, të dëmtuar nga pandemia, i janë ankuar Bashës. Disa thonë që paga e luftës nuk u ka mjaftuar, të tjerë thonë se në pamundësi për t’i paguar punëtorët, i hoqën nga puna, e disa që janë në prag falimentimi.
“Jemi keq. Shumë keq, shumë, shumë keq. S’kemi marrë as pagë lufte. Kam paguar të gjitha taksat, siguracionet, të gjitha. Çfarë mund të bëj me një kioskë kaq të vogël që e kaluan me TVSH?! Nuk kam marrë asnjë mbështetje. Xhiro është shumë e ulët, 60 -70% ulje.”- tha pronari i një dyqani të vogël.
“Mora një mbështetje, e cila nuk më del as për qiranë, 260 mijë lekëshin. Kisha punëtoren, u detyrova ta heq sepse nuk e përballoj dot. Tani jam vetëm unë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të shikoni vetë gjithë rrugës sesa e trishtë është situata, kanë mbyllur qepenin.",- tha pronarja e një dyqani veshjesh.
“E kam dyqanin me qira, 200 mijë lekë. Shpenzimet e muajit më shkojnë 300 e ca mijë lekë bashkë me dritat, taksat, që vijnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për tre muaj mora vetëm 400 mijë lekë nga qeveria. Kam 40 vjet në këtë profesion, por ka ardhur kohë shumë e keqe. Njerëzit nuk kanë më fuqi. “- tha një këpucar.
Pronarja e një biznesi lulesh u ankua për mbylljen në fundjavë, pasi sipas saj kjo është e shtuna dhe e diela janë ditët kur ata mund të fitojnë diçka.
“Atëherë kur kemi më shumë punë, në fundjavë, del korona dhe duhet të futemi brenda. Pretendohet që gjatë fundjavës njerëzit shpenzojnë diçka, atëherë nuk na lejojnë.”- u shpreh ajo.
Basha tha se, vendi duhet t’i kthehet normalitetit një orë e më parë.
“Duhet t’i kthehemi një orë e më parë normalitetit dhe më e rëndësishmja është t’ju mbështesim ju, se po nuk mbështetëm biznesin do të shkatërrojmë ekonominë, do të shkatërrojmë gjithçka.”, tha Basha.
Një pronar i tha Bashës se, qeveria ka për qëllim të shkatërrojë bizneset e vogla.
“Epo mesa duket këtë qëllim ka qeveria, të shkatërrojë biznesin. Me statuse “Facebook”-u kujtohet te të lajmërojë në 21:30 të darkës. Unë e kisha bllok, u detyrova ta zhbllokoja që të shihja statusin a mund ta hapja dyqanin nesër. Këtu jemi katandisur”, tha ai.
Basha iu përgjigj: “Kjo është totalisht e paligjshme. Këta e kanë mendjen vetëm të zhvasin e të marrin, sikur nuk do të ketë të nesërme. Kështu që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë të mos e lejojmë këtë”.
Pronarja e një dyqani tha se, janë prag falimentimi, pasi nuk kanë bërë shitje.
“Hyrja në dyqan zero. Ndërsa ishim në pandemi sigurimet shoqërore na I kërkonin. Taksat e bashkisë një më një. Xhiro zero. Nuk hyn njeri. Prishi rregullat e biznesit. Jemi drejt falimentimit. Do të mbyllen. sa do rezistojmë? Një muaj dy muaj, po pastaj?!”
“Çfarë jepet është kot, sepse është dhe një qira për t’u paguar, është një kredi për t’u paguar. Kjo është e keqja se çdo klient që vjen, nuk futet brenda se nuk ka lekë. E vetmja gjë që thonë është “nuk kemi lekë. Ka rënë më shumë se gjysma e xhiros”.- tha një tregtar.
Basha iu përgjigj: “Ndaj i thamë “jepu lekë njerëzve, që të mos bjerë konsumi, se po ra konsumi e ndjeni ju, po e ndjetë ju do ta përcillni në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, do ta ndjejë pastaj edhe arka e shtetit. Mbahuni se kemi kaluar shumë të këqija, por ky e ka mendjen vetëm të zhvasë dhe të marrë, por gjërat do t’i ndryshojmë, nuk do t’i lëmë kështu në mëshirë të fatit”/K.C/dritare.net