Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bill Gates në dosjen Epstein, Melinda Gates: Më riktheu plagët e dhimbshme të martesës me të

Bill Gates në dosjen Epstein, Melinda Gates: Më riktheu plagët e

Filantropistja miliardere Melinda French Gates ka reaguar pas përfshirjes së ish-bashkëshortit të saj, bashkëthemeluesit të Microsoft Bill Gates, në dokumentet e reja që lidhen me Jeffrey Epstein, duke thënë se ky moment i ka rikthyer “kohë shumë të dhimbshme” nga martesa e tyre.

Në një intervistë për podcastin Wild Card të NPR, Melinda French Gates u shpreh se ndjen “trishtim të jashtëzakonshëm” për akuzat që lidhen me Epstein dhe theksoi se personat e përmendur në këto dokumente, përfshirë edhe ish-bashkëshortin e saj, duhet të japin përgjigje vetë. Ajo shtoi se është e lehtësuar që tashmë është larg “gjithë kësaj mjegulle”.

Çifti u divorcua në vitin 2021, pas 27 vitesh martesë. Media amerikane kanë raportuar më herët se Melinda French Gates kishte shprehur pakënaqësi për lidhjet e Bill Gates me Epstein përpara ndarjes së tyre. Pas shpalljes së divorcit, Bill Gates pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me një punonjëse të Microsoft në vitin 2019.

Dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përfshijnë mbi tre milionë faqe dhe përmbajnë pretendime të shkruara nga Jeffrey Epstein, përfshirë edhe akuza ndaj Bill Gates. Një zëdhënës i Gates i ka quajtur këto pretendime “absolutisht absurde dhe plotësisht të pavërteta”..

Bill Gates nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale nga viktimat e Epstein dhe përmendja e emrit të tij në dokumente nuk nënkupton aktivitet kriminal. Përfaqësuesit e tij kanë deklaruar se dokumentet tregojnë vetëm përpjekjet e Epstein për ta implikuar dhe diskredituar Gates, pasi nuk kishte një marrëdhënie të vazhdueshme me të.

Jeffrey Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin për akuza të rënda për trafikim seksual. Dokumentet e publikuara hedhin dritë mbi rrjetin e gjerë të kontakteve të tij, që përfshinte figura të njohura nga politika, biznesi dhe bota e famës./L.F-dritare.net