
Biden akuzon Rusinë se ka shkelur kartën e OKB-së!
Dritare.net
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden deklaroi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Rusia ka “shkelur paturpësisht parimet thelbësore” të OKB-së, me “luftën e saj mizore dhe të paprovokuar” në Ukrainë. Ai tha se lufta është një veprim që shkel atë çka kjo organizatë përfaqëson, ndërsa u kërkoi aleatëve që të bashkohen për të qëndruar në solidaritet, në mbështetje të rezistencës ukrainase.
Ndërsa dënoi me forcë sulmin 7-mujor të Rusisë, zoti Biden tha se raportet e krimeve ruse kundër civilëve në Ukrainë duhet të tmerrojnë të gjitha vendet. Ai tha se kërcënimet e fundit për përdorim të armëve bërthamore kundër Evropës të Presidentit rus Vladimir Putin është një shkelje flagrante e përgjegjësive të Rusisë si nënshkruese e Traktatit që ndalon përdorimin dhe përhapjen e armëve bërthamore.
Ai kritikoi Kremlinin për organizimin e “referendumeve të rreme” këtë javë në territoret që ka kapur me forcë në Ukrainë.
“Një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së sulmoi fqinjin e tij, u përpoq të fshinte një shtet sovran nga harta. Rusia ka shkelur paturpësisht parimet thelbësore të kartës së OKB-së”, tha ai para të pranishmëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Zoti Biden u bëri thirrje të gjitha vendeve, qofshin ato demokratike apo autokrate, që të dënojnë sulmin rus e të ndihmojnë përpjekjet e Ukrianës për të mbrojtur veten.
“Ne do të solidarizohemi kundër agresionit të Rusisë”, tha udhëheqësi amerikan.
Zoti Biden vuri gjithashtu theksin tek pasojat e sulmit në furnizimin me ushqim në botë. Ai premtoi 2.9 miliardë dollarë ndihma për sigurinë globale ushqimore, zbutjen e pasojave të shkaktuara nga lufta si dhe ndryshimet klimatike.
Presidenti amerikan vlerësoi përpjekjet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për krijimin e një korridori të sigurt për eksportet e drithit ukrainas dhe bëri thirrje që marrëveshja të respektohet pavarësisht vazhdimit të konfliktit.
Gjatë ditës së mërkurë, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Biden pritet të takohet me kryeministren e re britanike Liz Truss dhe të ushtrojë trysni tek aleatët që të përmbushin objektivin prej 18 miliardë dollarësh në funksion të fondit global për luftën kundër sëmundjeve si Sida, tuberkuzoli e malaria.
Por kritikat kundër Rusisë dominonin axhendën e presidentit amerikan në OKB./voa

















