Berisha: Salianji është i lirë të vazhdojë axhendën personale!
Dritare.net

Në një reagim për takimin e zhvilluar nga Ervin Salianji me anëtarë të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka theksuar se axhenda personale e tij nuk përbën problem për partinë. Ai theksoi se Salianji është anëtar kryesie dhe nuk ka ngritur asnjë nga çështjet që janë diskutuar nga të tjerët.
"Asnjë deputet nuk ka nisur asnjë foltore. Ju lutem korrigjojeni. Po, është një anëtar kryesie, i cili ka një axhendë personale, i uroj ta vazhdojë sa të ketë qejf. Është një anëtar kryesie, i cili është i kooptuar në kryesi, i cili në asnjë mbledhje kryesie nuk ka shtruar asnjë nga këto probleme, i cili ka një zonë në Kombinat i ngarkuar për analizën dhe të gjitha. Do të ketë axhendë personale, ta vazhdojë gjer në fund", tha Berisha.
Berisha u shpreh se demokratët e Durrësit vepruan me përgjegjësi duke braktisur një takim me axhendë private dhe përgëzoi strukturat lokale për këtë qëndrim. Ai gjithashtu paralajmëroi një analizë të brendshme për ata që nuk kanë vepruar në përputhje me interesin e partisë gjatë fushatës.
Berisha përfundoi duke kritikuar mediat që sipas tij fokusohen tek takimet e brendshme, duke theksuar se prioriteti është mbulimi i “skandaleve të tmerrshme të qeverisë”./L.F-dritare.net