Na ndiqni edhe në

Opinione

Berisha-Meta si shërbëtorë të regjimit të Ajatollahëve në Tiranë!

Berisha-Meta si shërbëtorë të regjimit të

Nga Endri Kajsiu

Shqipëria ka qenë në një sulm të jashtëzakonshëm kibernetik nga Irani. Arsyeja e sulmit ishte fakti që Shqipëria ka strehuar 3500 anëtarë të MEK, që janë opozita e regjimit iranian. Për këtë arsye, Shqipëria u sulmua në sistemet e të dhënave nga hakerat iranianë, si mjeti kryesor që Irani po përdor për destabilitet kudo në botë. Por fatmirësisht sistemet janë në këmbë dhe në funksion të plotë dhe për këtë sulm të paprecedentë e të mirëorganizuar, kanë reaguar e pozicionuar në krah të Shqipërisë SHBA dhe Bashkimi Europian. Nga salla e OKB e deri në institucionet më të rëndësishme të BE-së, Shqipëria ka marrë mbështetjen maksimale në këtë luftë që nuk ishte e saja, por që i ka rënë ta mbajë mbi supe vetëm pse ka strehuar 3500 persona që u rrezikohet jeta në vendin e tyre.


Por, në një kohë që e gjithë bota është në krah të Shqipërisë në këtë betejë, regjimi iranian ka dy aleatë të fortë në Tiranë. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë dy aleatët e regjimit të ajatollahëve të Iranit në Shqipëri, të cilët janë gati t’i vënë zjarrin vendit vetëm për interesin e tyre akut politik. Këtë e tregojnë sa here u jepet mundësia. E fundit që u intereson është qetësia dhe siguria e vendit, ndaj edhe nuk lënë rast pa përdorur çdo gjë që lëshohet në mënyrë dashakeqe ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të bërë politikën e tyre të ditës. Dyshja Berisha-Meta janë shërbëtorët më të përulur të regjimit iranian në Shqipëri dhe këtë ata nuk ngurrojnë ta tregojnë çdo ditë.

Rasti më i freskët ishte ai i djeshmi ku hakerat lëshuan një tjetër ‘rraketë’, që ishin të dhënat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Siç kishin bërë më herët me publikimin e disa të dhënave të tjera (gjest që normalisht duhet të dënohej maksimalisht nga çdo opozitë në botë që e do vendin dhe qytetarët e saj realisht), dje ata publikuan të dhënat e udhëtimeve të Edi Ramës. Mjaftoi kjo, që Sali Berisha dhe Ilir Meta të eksitoheshin dhe të fillonin sulmet ndaj kryeministrit pse ai kishte udhëtuar, kur në fakt çdo fluturim dihet sepse vetë Rama i publikon. Edi Rama kudo që fluturon për punë, në sfond të çdo kronike lajmesh apo albumi te tijin ka avionin Air Albania. Ai nuk e ka fshehur kurrë që udhëton me Air Albanian dhe i ka sqaruar me dhjera herë edhe pse e bën e pse kostot janë shumë ekonomike. Por pse fakti që këto udhëtime i bëjnë publike hakerat iranianë, përbëjnë lajm për dyshen Berisha-Meta? Për politikën e ditës sigurisht.

Deri dje, ata përdornin të ndjerin Laer Kurti për të zhvilluar protesta ku mblidhnin nga 50 vetë në shesh. Nënën e viktimës nuk e lanë të qetë të qante të birin duke e nxjerrë në media vetëm për politikën e tyre të ditës. Por tani që doli lista e udhëtimeve të Ramës, e flakën të ndjerin Kurti dhe po merren me kostot e avionit. Sali Berishës dhe Ilir Metës nuk u intereson në fakt as Laeri i ndjerë, as paratë e shqiptarëve, por vetëm fati i tyre politik.

Ajo që është e kuptueshme në gjithë këtë histori, është se dy kokat e opozitës janë aleatë kaq të ngushtë të regjimit të ajatollahëve të Iranit. Por kuptohet, sikletet që ata kanë janë të mëdha dhe shpresojnë që ‘rraketat’ e ajatollahëve t’i shpëtojnë, meqë SHBA dhe BE nuk i afron.

Ajo që po ndodh është që njëlloj si regjimi iranian kërkon destabilitet në Shqipëri për interesa që lidhen më opozitën iraniane të strehuar në Manëz edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë të njëjtën gjë sepse kanë sikletet e tyre të mëdha. Berisha e Meta janë gati ta djegin këtë vend vetëm që të shpëtojnë kokën e tyre. Ata janë gati të bëhen ushtarë (siç në fakt po janë) të regjimit të Iranit vetëm për interesin e tyre politik. Këtë e kanë treguar që ditën e parë të sulmit ndaj Shqipërisë, ku në vend që të ishin bashkë për tu mbrojtur ndaj sulmit, ishin sulmues në krah të armikut kundër Shqipërisë. E treguan edhe dje duke lënë Laerin e ndjerë e për të kapur një tjetër kauzë politike të ditës.