
Berisha: Dan Hutra, natën vidhte banesa, ditën vidhte vota!
Dritare.net
Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për media, publikoi sot mesazhin e një qytetari që sipas tij tregonte se vrasësi i grave, Dan Hutra, natën vidhte banesa, ditën vidhte vota.
“Do ju sjell mesazhin e një qytetari nga Kamza: Zoti Berisha, do ju vë në dijeni të një fakti kriminal të masakrës elektorale në Kamëz. Vrasësi famëkeq i grave, Dan Hutra, ishte punësuar në ujësjellësin e Kamzës në këmbim të mbledhjes së votave për Rrakip Sulin. Vrasësi i grave, natën vidhte banesa, kurse ditën vidhte vota dhe kërcënonte me jetë demokratët që të mos dilnin në votime. Pas masakrës ndaj grave, Rakip Suli ka zhdukur dosjen e Dan Hutrës. Ka dëshmi dhe fakte se Dan Hutra drejtonte një nga bandat kryesore të mbledhjes së votave për Rakip Sulin. Në Këshillin Bashkiak të Kamzës, ka pasur propozim për t’i vendosur emrin e Dan Hutrës një rruge në Kamëz.
Propozimi është zhdukur me shpejtësi nga banda e Bashkisë së Kamzës. Rakip Suli i kishte dhuruar Dan Hutrës në pallatet që po ndërton Arben Maloku, që ka bërë një masakër me votat e Zall Herrit.
Dan Hutra figuronte patronazhist i PS-së, kreu i një grupi kokaine në Holandë. Kishte nisur të pastronte paratë në ndërtim. Sot kontrollon trafikun e drogës dhe votave nga burgu. I vetëm i burgosur që shpenzon deri në 5 milionë lekë në muaj. Praktikisht Dan Hutra është drejtori i burgut të Rilindjes.”, tha Berisha./K.C/dritare.net

















