Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Bashkia kërcënon me heqje license, shoqata nuk heq dorë, qytetarët pa transport urban!

Bashkia kërcënon me heqje license, shoqata nuk heq dorë,

Prej kohësh tanimë ka nisur një përplasje e hapur mes Bashkisë së Tiranës, Shoqatës së Transportit Urban në Tiranë dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Bashkia dhe qeveria tanimë kanë dhënë miratimin për nisjen e transportit publik në Tiranë, nën një protokoll të rreptë, ndërsa shoqata e transportit nuk po bie dakord të nisë punën pasi ka disa kushte.

kreu i Bashkisë së Tiranës, në kushtet kur mijëra qytetarë nuk kanë transport publik në kryeqytet ka paralajmëruar linjat e urbaëve të nisin punën ose do u hiqet licensa.

Shoqata thotë se nuk do fillojnë punën deri në ndryshimin e protokollit dhe se ky është një kusht i panegociueshëm për ta.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që linjat të kuptojnë se kur kanë pasur nevojë për bashkinë, Bashkia ka qenë me ta. Kur kompanitë kanë pasur të drejtë, si në rastin e pandemisë, dhe hoqëm taksat, apo siç ishte rasti i mostaksimit të çdo autobusi, por vetëm një herë të kompanisë, që prapë dakordësuam dhe u dhamë të drejtë, ashtu duhet që ata t’i rikthehen shërbimit. Ajo që thonë disa kompani, se do e mbajnë licencën private, derisa të më dalë mua llogaria, nuk shkon sepse ajo licencë do të hiqet sepse s’po na del llogaria neve si qytetarë”.

Protokolli që ka njoftuar për autobusët Ministria e Shëndetësisë është ky:

1. Numri i udhëtarëve do të lejohet me kapacitet 70%.

2. Ulja e udhëtarëve do të jetë në mënyrë diagonale.

3. Drejtuesi i mjetit duhet të ketë maskë mbrojtëse dhe doreza.

4. Udhëtarët detyrimisht me maska dhe doreza.

5. Hipja dhe zbritja do të bëhet në dyer të ndryshme.

6. Nëse udhëtari shfaq shenja të Covid-19, shoferi do duhet të njoftojë 127.

7. Duhen dezinfektuar makinat.

8. Gjatë udhëtimit duhet ajrosur makina.

9. Në terminal duhet zbatuar distancimi.

10. Terminali të dizinfektohet.

11. Në mjete të vendosen postera kundër përhapjes covid-19.

12. Të respektohen masat e higjienës.

13. Masat e parashikuara do të kontrollohen nga kompetencat përkatëse

Kërkesat e Shoqatës janë këto:

1.Heqja e akcizës për blerjen e naftës nga shoqëritë e transportit publik.

2.Njohjen e shpenzimit të zbritshëm 100%, për naftën pasi është lënda jonë e parë.

3.Subvencionimin me 50% të ngarkesës direkt në llogaritë e shoqërive të transportit publik duke marrë parasysh lejen e udhëtimit për të kuptuar sa kapacitet ka mjeti.

4.Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e tij në nivelet e sektorit të turizmit 6% pasi edhe transporti është një nga hallkat e tij.

5.Faljen e taksave vendore të mjeteve për vitin 2020

6.Të merren masa urgjente nga organet e Ministrisë së Punëve te Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për luftimin e transportit të udhëtarëve me mjete informale i cili ka lulëzuar gjatë pas pandemisë.

Ministria e Infrastrukturës ka bërë me dije se janë marrë këto vendime, duke plotësuar dy nga kushtet.

• Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;

• Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020./ I.M-Dritare.net