
Basha sërish në konferencë: Qytetarët më thonë pse lodhesh
Dritare.net
Kreu demokrat Lulzim Basha, ka zhvilluar sot sërish një konferencë me gazetarët, tashmë një rutinë në programin e tij. Ai tha se dy krizat më të mëdha në vend, janë shëndetësore dhe ekonomike. Më tej, kreu demokrat, u shpreh se merr shpesh mesazhe nga qytetarët të cilët i shkruajnë se nuk ka përse të lodhet, pasi Rama, nuk ka bërë asgjë këto 8 vjet dhe nuk ka për të bërë më as këto muaj.
"Unë dua t’u them se nuk do të lodhëm duke përsëritur kërkesën që shtetit shqiptar t’u kthejë qytetarëve shqiptarë paratë e taksave të tyre në formë mbështetje që kanë sot nevojë. Sot qytetarët që kanë nevojë për testin e covid, s’e bëjnë dot. Qindra të tjerë s’kanë mundësi që të marrim mjekimin e duhur. S’kanë mundësi financiare për kurimin ndaj kovid-it. Mijëra qytetarë nuk sigurojnë dot shportën ushqimore, ata presin ndihmë nga shteti. 1/3 shqiptarë nuk e përballojnë dot jetesën. Shumica e bizneseve janë në prag falimentimi. Nuk do të lodhem duke përsëritur që shtetit shqiptar të kryejë detyrimin ndaj shqiptarëve dhe të vërë në lëvizje këto fonde. Siç e bëri të ditur dhe zëri i Amerikës, se numri i testimeve ka rënë, është rritur numri i të infektuarve. Asnjë medikament që jepet për të trajtuar COVID-in nuk rimbursohet. Mosrimbursimi i ilaçeve në këto kushte është i pafalshëm. Kjo është çështje jete, çështje shëndeti. Kemi 2 javë e gjysmë që kërkojmë që sistemi i shëndetësisë të vihet në alert të plotë, por nga kulluqet e zyrave bëjnë propagandë. Sot që flasim buxheti i sistemit të shëndetësisë vijon të jetë sa gjysma e buxhetit të shëndetësisë në Maqedoni. Paratë po përpihen nga aferat korruptive”, tha Basha sot./L.F-dritare.net

















