Basha: Lekët për daljen e vendit nga kriza, do t'ia marr mafies!
Dritare.net
Gjatë konferencës për shtyp, lideri i opozitës, Lulzim Basha, tha se, efekti total i paketës për daljen nga kriza e pandemisë shkon 312 milionë euro. Kur u pyet se ku do t'i marrë këto para, Basha përmendi skandalin e inceneratorëve dhe tha se shumica e medieve e censuruan.
“Efekti total është afro 312 milionë euro për 6 muajt e ardhshëm duke filluar nga tetori. Kjo përbën 2.4 apo 2.45 të Prodhimit të Brendshëm të Shqipërisë dhe vendos Shqipërinë në mesataren e shpenzimeve të rajonit për t’u përballur drejtpërdrejt me pasojat e COVID tek shëndeti dhe pasojat në ekonomi. Nuk na çon tek vendet me paketën më ambicioze, në rajon flas; flas për Maqedoninë, Malin e Zi, flas për Kosovën, Serbinë, Bosnjën, nuk flas për vende të tjera. Por na nxjerr nga niveli afrikan i shpenzimeve.
Ku do të gjenden këto para, meqë shumica e mediave që ju përfaqësoni u detyruan të censuroni lajmin e djeshëm të zëdhënëses së PD? Vetëm dje i kanë dhënë mafies së inceneratorëve 1 milionë euro. 1 milionë euro vetëm inceneratorit të Tiranës, vetëm me një ditë. Në total bëhet fjalë për miliona euro në ditë, qindra miliona euro në muaj apo në tremujor që shpenzohen për kontratat e zakonshme korruptive. Të anulohet Milot-Fieri, të anulohet projekti për ta ndërtuar me 5-fish koston rrugën Korçë –Leskovik, të anulohen dhjetëra shpenzime të marra në kohë pandemie që ka një dhe vetëm një qëllim, të mbushin xhepat e qeveritarëve të korruptuar, dhe të gjitha këto para, dalin dhe mjaftojnë për paketën që ne propozojmë që siç ju thash, kushton 52 milionë euro në muaj, për të gjithë zërat.”- tha Basha./K.C/dritare.net