
Basha: Gara duhet të na bashkojë, jo të na çorodisë!
Dritare.net
Të dielën partia demokratike mban zgjedhjet e brendshme për kryetar. Lideri aktual i PD Lulzim Basha ishte sot në Peqin për të bërë fushatë me demokratët. Në fjalën e tij Basha u shpreh se ndryshimin për Shqipërinë do ta sjellë vetëm PD, ndërsa u bëri thirrje demokratëve që nga beteja e së dielës të dalin të bashkuar dhe jo të çoroditur.
“Kush tjetër mund ta marrë këtë peshë dhe këtë përgjegjësi për ndryshim dhe demokraci përveç Partisë Demokratike të Shqipërisë? Përgjigja është fare e qartë. E dini ju, e di unë, e dinë shqiptarët, e di dhe Edi Rama. Por se nuk duhet të harrojmë për asnjë sekondë të vetme, për asnjë çast e në veçanti këto orë drejt të dielës dhe vetë të dielën, misionin që kemi mbi supe, përgjegjësinë që kemi karshi njëri-tjetrit por mbi të gjitha karshi shqiptarëve, mos të harrojmë për asnjë sekondë se qëllimi ynë final është të largojmë kundërshtarin e vetëm, armikun e vetëm të Shqipërisë, shqiptarëve, demokracisë dhe Partisë Demokratike, regjimin e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe bandave të tyre. Duhet të dalim nga kjo betejë mendjendarë e jo të çoroditur. Duhet të dalim nga kjo betejë të vendosur e të bashkuar siç jemi, për t’i shkuar deri në fund luftës për demokraci”, tha Basha./L.F-dritare.net

















