
Avionët e Wizz Air, furgonat e qiellit shqiptar!
Dritare.net
Me hapjen e kufijve udhëtimet jashtë vendit janë shtuar. Sezoni i verës sjell shtim të fluturimeve, edhe për shkak të kthimit të emigrantëve në Shqipëri, për pushime verore. Çmimet e biletave, nëse priten disa javë më herët nga udhëtimi, janë relavisht të lira, por fluturimet janë një kaos.
Wizz Air kompania që ka hyrë në tregun shqiptar si një linjë me kosto të ulët, e për rrjedhojë ndër më të përdorurat, ka një sërë problemesh me udhëtimet. Vonesat me këtë linjë shkojnë në disa orë, ndërsa pasagjerët njoftohen në minutën e fundit.
Njerëz që presin në radhë të nisen, të moshuar, fëmijë, kjo është pamja që të ofrohet zakonisht në Aeroportin Nënë Tereza, me linjën Wizz Air. Ndërsa udhëtimet nga Shqipëria drejt vendeve të tjera janë ata që kanë më shumë vonesa, edhe fluturimet në kthim, janë gjithashtu një kaos. Udhëtimi nga Milano drejt Tiranës, i datës 20 qershor, ndonëse ishte planifikuar në 21:45 pati disa orë vonesa.
Siç duket korrektesa, është diçka e pamundur për kompaninë Wizz Air, me udhëtime të lira që të kushtojnë më shtrenjt./L.F-dritare.net

















