Ardit Rada: SPAK mund të bashkojë PS-në me PD-në
Dritare.net

Një skenar i mundshëm ka tërhequr vëmendjen e analistit Ardit Rada, i cili vë në dukje se mund të shfaqet një bashkëpunim legjislativ midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të rishikuar reformën në drejtësi dhe për të kufizuar kompetencat e SPAK. Sipas Radës, presioni i ushtruar nga hetimet dhe procedimet në vazhdim mund të krijojë terren për një konsensus të heshtur mbi ndryshimet e propozuara.
Pika kryesore e këtij skenari është ndryshimi i nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit që rregullon masat e sigurisë dhe përgjimet. Synimi i supozuar është kufizimi i mundësisë për arrestimin me burg të zyrtarëve të lartë pa vendim të formës së prerë, si dhe kufizimi i përdorimit të komunikimeve elektronike si prova parësore nga prokurorët.
Rada thekson se kjo mund të shihet si një përgjigje ndaj shqetësimeve që kanë lindur në klasën politike për mënyrën e funksionimit të SPAK dhe masave të tij hetimore.
Analisti parashikon se ky skenar do të prezantohej si një masë për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardet evropiane, por në praktikë do të shërbente për të mbrojtur zyrtarët e lartë nga procedimet penale. Nëse realizohet, sipas Radës, kjo nismë mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrin mes politikës shqiptare dhe reformës së drejtësisë, duke kufizuar funksionimin e SPAK në hetimin e korrupsionit në nivele të larta./K.C/dritare.net