Apeli lë në fuqi arrestin shtëpiak për Berishën dhe Malltezin
Dritare.net
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën arrest shtëpie për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Berisha dhe dhëndri i tij janë të pandehur nga SPAK-u për aferën e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani". Ata kërkuan sot në Apel zëvendësimin e masës së sigurisë, por kjo kërkesë u rrëzua.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 13.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 182 akti, datë 04.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, në lëndë të masave të sigurimit personal dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.", njofton Gjykata e Apelit./K.C/dritare.net