
Anagnosti i madh mbush 85 vjeç. Dekorohet nga Meta!
Dritare.net
Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, presidenti, Ilir Meta çmoi sot me anë të një ceremonie solemne regjisorin dhe kineastin e shquar, Dhimitër Anagnosti me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në motivacion e dekoratës thuhet: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”. Për Anagnostin e sotmja ishte një ditë e veçantë, jo vetëm se feston 85-vjetorin, por edhe sepse mori një dekoratë të lartë: “Sot është një ditë e veçantë për mua. Falënderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit. Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falënderoj Presidentin e Republikës, z.Meta që më nderon me një titull të lartë.”, u shpreh regjisori./K.C/dritare.net

















