
Ambasadorja amerikane jep lajmin: Kemi marreveshjen. Topi në fushën e Luli Bashës
Dritare.net
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka dalë për herë të parë live, ndërsa mbante në dorë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, e cila është në pritje të firmës së liderit të opozitës, Lulzim Basha. Kim iu drejtua nominalisht Bashës në këtë dalje publike, duke i thënë se ka në dorë të ardhmen e Shqipërisë.
Ja fjala e plotë e ambasadores amerikane, Yuri Kim!
“Faleminderit që keni pritur me ne gjithë këtë ditë. Kemi pasur një ditë të gjatë. Dje kemi bërë progres të mirë. Jemi takuar sot për 9 orë të tjera dhe bëmë progres të jashtëzakonshëm. Siç thashë dje, në një negociatë që është kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, çdo palë, çdo parti i kërkohet që të japë që Shqipëria të fitojë. Çdo palë dha, çdo palë fitoi. Populli shqiptar mund të fitojë akoma më shumë. Çdo palë dha por më duhet t’i jap merita të veçanta partisë në pushtet. Ne i bëmë të qartë se si partia në pushtet ata kanë privilegjet e tyre dhe për këtë arsye duhet të jepnin më shumë. Dhe në fakt ata e bënë. Kështu që e përgëzoj partinë në pushtet për atë që kanë bërë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë të mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë ën mënyrë të patundur drejt anëtarësimit në BE. Përmban masa që janë adresuar, trajtuar nga ODIHR. Përmban gjithashtu disa hapa domethënëse që nuk janë rekomanduar dhe nga OHDIR, por që do të shiheshin si një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë. Ka ardhur koha për opozitën, Partinë Demokratike, për mikun tim, Luli Basha që të balancojnë të gjithë faktorët. Dhe të thonë “PO” për popullin shqiptar. Të thonë “PO” për Shqipërinë në Evropë. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në duart e tij.”/K.C/dritare.net

















