Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Afera Partizani/ Berisha sot në SPAK!

Afera Partizani/ Berisha sot në SPAK!

Kreu i PD-së, Sali Berisha do të shkojë sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje për aferën Partizani. Ish-kryeministri, i akuzuar për korrupsion, është në gjykim për këtë dosje së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.


Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, ku Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë. Sipas SPAK, Berisha, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.


Përveç dosjes Partizani, në SPAK Berishën e ka çuar edhe krimi shtetëror i 21 janarit. Më 19 nëntor, ai u mor në pyetje për vrasjet e 4 protestuesve në bulevard më 2011 nga plumbat që dolën nga kryeministria.