
A mund të ishte shmangur pandemia! Raporti i fundit, fajëson Kinën dhe OBSH!
Dritare.net
Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mund të kishin vepruar më shpejt dhe më me forcë për të përmbajtur fillimin e shpërthimit të Covid-19. Paneli i Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin Pandemik me bazë në Zvicër përcaktoi se Pekini mund të ketë qenë më korrekt në zbatimin e masave të shëndetit publik kur rastet u zbuluan për herë të parë në qytetin Wuhan, në provincën Hubei.
"Ajo që është e qartë është se masat e shëndetit publik mund të ishin zbatuar më me forcë nga autoritetet lokale dhe kombëtare të shëndetit në Kinë në janar (2020)," tha raporti.
Rastet e para në Wuhan janë regjistruar midis 12 dhjetorit dhe 29 dhjetorit 2019 sipas autoriteteve të qytetit. Por këto raste nuk u raportuan në OBSH deri më 31 dhjetor. Në kohën kur Wuhan-i kaloi në bllokim më 23 janar 2020, virusi ishte përhapur tashmë në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë dhe Shtetet e Bashkuara, informon dritare.net. Shumë vende kanë akuzuar Pekinin, se nuk ka marrë masa për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Paneli i pavarur, i kryesuar nga ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark dhe ish-presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, gjithashtu kritikoi OBSH, sepse ka njoftuar shumë vonë për shpërthimin e koronavirusit.
Pavarësisht se ishin paralajmëruar për rastet në fund të dhjetorit, 2019 OBSH nuk e mblodhi komitetin e tij të urgjencës deri më 22 janar 2020 - dhe më pas priti deri më 30 janar përpara se të shpallte një emergjencë ndërkombëtare.
"Nuk është e qartë pse komiteti nuk u takua deri në javën e tretë të janarit, as nuk është e qartë pse nuk ishte në gjendje të binte dakord mbi deklarimin e një emergjence të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar kur u thirr për herë të parë," thuhet në raport./L.F-dritare.net

















