
A mund të infektohemi me koronavirus përmes kartëmonedhave? Ja çfarë thotë OBSH!
Dritare.net
Për të mos u infektuar nga koronavirusi, rregullat bazë që duhet të ndjekim janë, distancimi social dhe higjiena personale. Të rrimë në shtëpi, të lajmë duart dhe dezinfektojmë ambientin ku rrimë.
Por duhet të dalim për pazar, ndryshe me çfarë do të jetojmë? Një nga meraket tona kur dalim për pazar, përveç faktit mos kemi kontakt me njeri, është dhe prekja e produkteve dhe parave që marrim nga kasierët, shitësit në furra buke apo dyqanet e fruta-perimeve.
A mund të përhapet COVID-19 nëpër monedha dhe kartëmonedha?
Kjo pyetje na mundon të gjithëve. Dhe shpeshherë kemi frikë t’i prekim lekët kur i marrim në dyqane. Por sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, aktualisht nuk ka asnjë provë për të konfirmuar ose kundërshtuar që virusi COVID-19 mund të transmetohet përmes monedhave ose kartëmonedhave.
Megjithatë, piklat e frymëmarrjes të nxjerra nga një person i infektuar mund të kontaminohen dhe qëndrojnë në sipërfaqe. Lani duart rregullisht dhe tërësisht pasi prekni çdo sipërfaqe apo objekt që preket shpesh, përfshirë monedha ose kartëmonedha! Shmangni prekjen e syve, gojës dhe hundës, nëse duart tuaja nuk janë pastruar, informon dritare.net
Si t’i lajmë frutat dhe perimet në kohën e COVID-19?
Frutat dhe perimet janë përbërës thelbësorë të një diete të shëndetshme. Lajini ato në të njëjtën mënyrë siç do të bënit në rrethana të tjera.
Para se t’i prekni, lani duart me sapun dhe ujë. Pastaj, lani frutat dhe perimet tërësisht me ujë të pastër, veçanërisht nëse i hani ato të papërpunuara./K.C/dritare.net

















