
A mund ta mposhtë Kamala Harris, Donald Trump-in? Çfarë tregojnë sondazhet në SHBA!
Dritare.net
Sistemi politik amerikan është në ujëra të paeksploruara pasi Joe Biden u tërhoq nga gara për presidencën në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.
Tani, të gjitha dritat janë te zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, të cilën vetë presidenti aktual e mbështeti publikisht si kandidatja që do të luftojë me Donald Trump.
Menjëherë pas njoftimit të Joe Biden, një numër i madh zyrtarësh demokratë e mbështetën publikisht, ndërsa shumë donatorë i dhanë para Partisë Demokratike në mënyrë që Kamala Harris të zhvillonte fushatën e saj zgjedhore kundër Donald Trump.
Megjithatë, sa e realizueshme është që zëvendëspresidentja e SHBA-së të përfundojë e para në garën elektorale?
Gazeta amerikane Washington Post përpiqet t'i përgjigjet pyetjes së mësipërme duke cituar të dhëna nga sondazhet e fundit. Një mesatare prej 11 sondazhesh të marra që nga debati i Washington Post ka bërë që Trump të kryesojë Harris me 1.5 pikë përqindjeje, pak nga epërsia e tij prej 1.9 pikësh ndaj Bidenit në të njëjtat sondazhe.
Një sondazh i Washington Post-ABC News-Ipsos këtë muaj zbuloi se 70 për qind e demokratëve dhe të pavarurve me prirje demokratike thanë se do të ishin "të kënaqur" nëse Biden do të largohej dhe Harris të bëhej kandidatja demokrate për presidente.
Në fillim të muajit The Economist dhe YouGov anketuan demokratët dhe të pavarurit me prirje demokratike rreth kandidatëve të mundshëm zëvendësues të Biden.
Kamala Harris kishte vlerësimin më të lartë të miratimit të demokratëve të anketuar. Kandidatët e tjerë të mundshëm, si Whitmer dhe Newsom, kishin vlerësime të ulëta, por një përqindje shumë më e madhe e demokratëve nuk e dinin se kush ishin ata. Përtej Bidenit, shumë demokratë të tjerë të shquar janë mbledhur rreth Harris-it. Megjithatë, ajo ende nuk është përzgjedhur nga delegatët demokratë për t'u bërë kandidatja e partisë.
Është interesante se tre nga 5 guvernatorët e shtetit, emrat e të cilëve ishin diskutuar si kandidatë për nominimin e demokratëve në rast të tërheqjes së Biden nga gara, kanë mbështetur kandidaturën e Harris-it. Ata janë 51-vjeçari Josh Shapiro, guvernator i Pensilvanisë, 46-vjeçari Andy Bishear, guvernator i Kentakit dhe Gavi Newsom, guvernator i Kalifornisë. Në orët në vijim pritet sqarimi i qëndrimit të JB Pritzker, guvernator i Illinois, miliarder, pjesëtar i familjes që zotëron zinxhirin e hoteleve Hyatt dhe Gretchen Whitmer, guvernator i Miçiganit.
Sa i përket çështjeve procedurale kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik, James Harrison, tha se "gjithçka do të ecë përpara në ditët në vijim dhe demokratët, përmes një procesi transparent dhe të rregullt, do të nxjerrin në pah kandidatin e tyre".
Konferenca është caktuar për 19-22 gusht në Çikago. Aty do të vërtetohet kandidati i ri. Sa i përket donacioneve që tashmë janë mbledhur në favor të fushatës së Bidenit, përgjegjësit besojnë se ato mund të shkojnë automatikisht në duart e Harris-it, pasi ajo ishte bashkëkandidate e tij për zëvendëspresidente. Zyrtarët republikanë po kërcënojnë me veprime ligjore./K.C/dritare.net

















