Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A ka mundësi të zbulohet vota përmes QR-Kode? Celibashi thotë po, por tregon kushtet që e bëjnë të pamundur!

A ka mundësi të zbulohet vota përmes QR-Kode? Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi përmes një postimi në rrjetet sociale sqaron se nuk është e mundur që vota të zbulohet përmes QR-Kode të fletës së votimit.

“Ka ZERO mundësi që ne (kushdo) të marrim dijeni mbi mënyrën e votimit të një votuesi duke lidhur radhën e votimit të tij me leximin e QR-Kode të fletës së votimit (që ky votues ka marrë dhe e ka hedhur në kutin e votimit).

Është e vërtetë që QR-Kode është i veçantë për çdo fletë votimi. Kjo bëhet me qëllim që çdo fletë votimi të jetë unike. Duke qenë unike, e personalizuar fleta e votimit nuk ka asnjë mundësi që dikush tjetër (i paautorizuar nga KQZ) të jetë “prodhues” i saj. Pra, në kutitë e votimit të jenë vetëm fletët e votimit që janë prodhuar nga KQZ. Ndaj edhe bëhet personalizimi dhe sekretimi i tyre edhe nëpërmjet vendosjes së QR-Kod”, shkruan Celibashi. Statusin ai e vijon duke sqaruar se që të zbulohet se kush ka votuar kë, duhet të dihet radha e votimit të këtij votuesi dhe se cilën nga fletët e votimit që ai ka marrë. Praktikisht kjo është e pamundur, pasi nëse vetëm një herë prishet radha atëherë në asnjë mënyrë nuk do të dimë se kë fletë votimi ka marrë kush.

Nëse ne dimë (i) radhën e votimit të një votuesi dhe dimë se (ii) cilën nga fletët e votimit ai ka marrë, atëherë po ne kemi mundësi të dimë se cila ka qenë vota i tij. Pra, duhet të plotësohen patjetër këto dy kushte që ne të kemi mundësi të marrim dijeni për kë ka votuar votuesi në fjalë. Ne nuk e dimë kurrsesi dhe nuk nuk kemi mundësi ta dimë se cilën fletë votimit (me cilin QR-Kod) ka marrë votuesi, (apo votuesit) edhe nëse ne dimë radhën e votimit të zgjedhësit. Dhe dijenia për radhën është më e mundur nga vetë anëtarët e komisioneve dhe/ose vëzhguesit në qendrën e votimit se sa nga Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI). Nëse flasim për PEI, ajo nuk shënon radhën e votimit.

Ndaj për të plotësuar kushtin e parë atë të dijenisë së radhës së votimit të një votuesi nuk “na duhet” PEI. Kjo do të thotë se është pa vend shqetësimi për identifikimin e votës për shkak të përdorimit të PEI.

Nga ana tjetër është e pamundur që të kemi plotësimin edhe të kushtit të dytë. Atij të identifikimit të fletës së votimit që i jepet votuesit radhën e të cilit presupozojmë se dimë. Fletët e votimit janë të prodhuara në blloqe të ndarë nga njëri-tjetri, të gjithë të njëjtë në sasi dhe në mënyrë paketimi. Në momentin e fillimit të votimit Komisioni i Qendrës së Votimit merr rastësisht njërin nga blloqet me fletë votimi. Nuk ka radhë në zgjedhjen e bllokut të fletëve të votimit.

Është qartë që në kushtet e zgjedhjes rastësore të bllokut të fletëve të votimit, të dhënies së fletës së votimit të marrë rastësisht nga grumbulli i fletëve të votimit, shkëputur nga blloku, ka ZERO shans, që të dimë se cilën fletë në radhën e gjithë fletëve ka marrë një votues i caktuar.

Matematikisht, sikur vetëm një herë të prishet radha (nëse për një moment pranojmë që mundet ta gjejmë radhën e fletëve të votimit), atëherë në asnjë mënyrë nuk do të dimë se kë fletë votimi ka marrë kush”, sqaroi Celibashi./L.F-dritare.net