
A e ka bërë vaksinën anti-kovid Luljeta Bozo? Ja çfarë thotë numri 1 i PS në Tiranë!
Dritare.net
Numri një i kandidatëve të PS në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Tiranës, Luljeta Bozo e ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare Tv tha se ende nuk e ka marrë vaksinën. E pyetur nga gazetarja Xhunga nëse ka dyshime për vaksinat, ajo u shpreh se i beson tërësisht shkencës dhe e konsideron si një mjet të jashtëzakonshëm në luftën me pandeminë. Inxhinierja tha se do të marrë nesër dozën e vaksinës me grupin e pedagogëve, pasi zonja Bozo ndonëse në pension vijon të japë mësim në një universitet privat.
“Unë besoj që do ta bëj nesër. Jam me grupin e pedagogëve në universitetin ku punoj. Për mua nuk ka rëndësi se çfarë lloj vaksine është, për sa kohë të gjitha dozat që kanë mbërritur në Shqipëri, janë provuar në miliona njerëz dhe nuk ka pasur raste të rënda. Është një mjet mbrojtës i jashtëzakonshëm. Jua këshilloj të gjithëve. Me shaka u them njerëzve që për çdo lloj sëmundje kemi në organizmin tonë çdo ushtri. Një që është gjenetike, sipas trashëgimisë që kemi nga familjet. Është si ato ushtritë klasike, e armatosur shumë mirë, e stërvitur shumë mirë. I bën ballë çdo armiku. Pra virusit në këtë rast. Pastaj kemi një ushtri që e krijojmë vetë gjatë jetës sonë. Me regjimin dhe mënyrën se si e organizojmë jetën. Të hamë mirë, të mos abuzojmë, të bëjmë sa më shumë sport. Dhe art e kulturë që është ushqim për shpirtin. Pa to nuk jeton dot njeriu”, u shpreh zonja Bozo./L.F-dritare.net

















