
200 mijë lekë për një varr në Tiranë, 8 të arrestuar. Mes tyre edhe përgjegjësi!
Dritare.net
Prokuroria dhe Zyra e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore te Policisë Tiranë zhvilluan sot një operacion për të ekzekutuar disa urdhër arreste. Hetimet janë kryer për disa akuza në lidhje me veprat penale të korrupsionit e shpërdorimit të detyrës.
Bëhet e ditur se për shkak të mungesës së tokës për varre në varrezat e Tufinës dhe të Sharrës, qytetarë të ndryshëm paguanin një tarifë deri në 200 mijë lekë, për të parablerë varrin.
Denoncimi është kryer nga bashkia e Tiranës dhe hetimi më pas është ndjekur nga Krimi Ekonomik dhe Prokuroria e kryeqytetit.
Në kuadër të këtij operacioni ranë në pranga 8 persona, ndërsa 4 prej tyre janë ende në kërkim. Ndër të arrestuarit është edhe përgjegjësi i sektorit të varrezave publike në bashkinë e Tiranës, si dhe një pjesë e stafit ndihmës të kësaj drejtorie. Po ashtu në pranga kanë rënë edhe disa sekserë.
Hetimet janë ndjekur nga prokurori Bledar Valikaj dhe për të zbuluar skemën e korrupsionit janë bërë përgjime dhe kontrolle zyrash e banesash. Të arrestuarit dyshohen për korrupsion. Po ashtu dyshohet se kemi të bëjmë edhe me abuzim me tenderët për mirëmbajtjen e varrezave publike./L.F-dritare.net

















