
15-vjeçari u dhunua nga policia/ Ardi Veliu publikon videon e mamasë së djalit me pistoletë në dorë
Dritare.net
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu gjatë mbledhjes me Komisionin e Sigurisë u pyet edhe për rastin e 15-vjeçarit, i cili u dhunua nga efektivët dy javë më parë. Ndërsa tha se polici që ushtroi dhunë është pezulluar, Veliu tregoi edhe një video nga mamaja e minorenit.
Në video shihet nëna e 15-vjeçarit, me pistoletë në dorë.
Pyetje: Pyetja ime lidhet me rastin e një djali 15-vjeçar, video e të cilit u bë virale në media lidhur me dhunimin që atij ju bë nga punonjësit e policisë me aq sa u transmetua. Videon nuk dua ta paragjykoj, por unë di që nga Policia e Shtetit janë marrë disa masa ndaj këtyre punonjësve. A mund të na thoni publikisht qëndrimin tuaj lidhur me këtë rast konkret?
Ardi Veliu: Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë. Punonjësit e policisë në një rast të caktuar kanë një kapërcim të kompetencës dhe punonjësi i policisë i cili ka konsumuar këtë veprim është pezulluar, ka filluar hetimi disiplinor, njëkohësisht ka filluar dhe një hetim penal nga SHÇBA. Por më besoni, në qoftë se do ta shikojmë nga fillimi në fund çfarë përfaqëson ky djali, a është me të vërtetë ky djali që i është bindur të gjitha veprimeve, thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja e tij, e cila ishte ndier shumë e fyer. Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë./K.C/dritare.net

















