
15 vite në NATO/ Rama: Shqipëria e palëkundur në përkushtimin për të mbështetur paqen
Dritare.net
Në 15-vjetorin e Shqipërisë në NATO, kryeministri Edi Rama falënderoi edhe sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken për mesazhin e tij për Shqipërinë. Përmes një postimi në Twitter Rama shkruan se presin shumë vite të tjera bashkëpunimi të frytshëm brenda familjes së NATO-s.
“Faleminderit Sekretar Blinken.
Ky 15-vjetor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk është vetëm një festë e arritjeve tona të së shkuarës, por edhe një riafirmim i përkushtimit tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe vlerave që mbështesin Aleancën tonë. Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka kontribuar me krenari në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s dhe ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike në të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë. Ne jemi të nderuar të qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojmë të përshtatemi dhe forcojmë bashkëpunimin tonë përballë sfidave globale në zhvillim. Ne presim shumë vite të tjera bashkëpunimi të frytshëm brenda familjes së NATO-s. Faleminderit për aleancën, miqësinë dhe partneritetin.”, shkruan Rama në Twitter.
Mesazhi i Blinken për 15-vjetorin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Nato:
Në emër të Shteteve të Bashkuara, përgëzoj Shqipërinë dhe Kroacinë për 15-vjetorin e anëtarësimit tuaj në NATO.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ne kremtuam angazhimin që demokracitë tuaja bënë jo vetëm për mbrojtjen e Aleancës sonë, por edhe për mbrojtjen e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin. Sot, ne nderojmë angazhimin tuaj të vazhdueshëm për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s, siç mbrojmë edhe vlerat tona të përbashkëta demokratike.
Në këtë përvjetor, ne mbetemi krenarë që qëndrojmë me ju si aleatë. Ndërsa Aleanca jonë vazhdon të rritet dhe të përshtatet për të adresuar sfidat në zhvillim të së ardhmes, NATO është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë./K.C/dritare.net

















