123 vjetori i ndarjes nga jeta të kryeministrit shqiptar të Italisë, Françesko Krispit
Dritare.net
12 Gusht 1901, 123 vite më parë, u nda nga jeta Françesko Krispi (Francesco Crispi), personalitet politik e shtetëror italian me origjinë arbëreshe. Lindi në Ribera (Sicili), në vitin 1818. Bashkëpunoi me Garibaldin në revolucionin sicilian (1859) dhe u bë këshilltar politik i tij. U zgjodh deputet i parlamentit të parë italian që u hap në Firence (1861). Kryeministër i Italisë në vitet 1887-1891 dhe 1893- 1896. Në politikën e jashtme përkrahu Aleancën Tripalëshe (Gjermani-Austro-Hungari-Itali) dhe depërtimin kolonial të Italisë në Afrikë, ku u formua kolonia italiane e Eritresë (1890). Si kryeministër përkrahu në vitet '90 të shekullit XIX politikën e depërtimit ekonomik, politik e kulturor të Italisë në Shqipëri. Gjatë qeverisjes së tij u përpunua ideja e qarqeve politike të Romës për një "Shqipëri të pavarur❞ nën protektoratin e Italisë dhe u hap në Shkodër shkolla e parë katolike shtetërore italiane (1888). Nga viti 1896, kur kryeministër ishte Françesko Krispi, filluan të ngrihen shkolla të tjera italiane, fillore e profesionale, në Shkodër, në Durrës, në Janinë e në Vlorë. Në të gjitha këto shkolla mësimi jepej në fillim në gjuhën italiane, ndërsa në fillim të shekullit XX u fut në këto shkolla edhe mësimi i gjuhës shqipe. Me nismën e Françesko Krispit dhe falë dashurisë së arbëreshëve për gjuhën amtare shqipe, më 1895 u mblodh në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) Kongresi Gjuhësor i Arbëreshëve të Italisë, ku u themelua "Shoqëria Kombëtare
Shqiptare" ("Societa Nazionale Albanese"), e drejtuar nga Anselmo Lorekio. (Në fotografi: Françesko Krispi).
Burimi: Ngjarje historike!