
Sulmi kibernetik paralizon faqen e Bashkisë Tiranë. AKSK në alarm, nis hetimi urgjent
Dritare.net
Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës është sulmuar këtë të enjte nga grupi iranian i hakerave “Homeland Justice”, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit për një periudhë të pacaktuar. Lidhur me këtë incident, ka reaguar menjëherë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), i cili ka njoftuar se sulmi është izoluar dhe se po punohet intensivisht për rikthimin e plotë të sistemeve.
Sipas deklaratës zyrtare të AKSK, incidenti ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë së Tiranës, duke ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga ky institucion.
“Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ngritur një grup të dedikuar pune me ekspertë të sigurisë kibernetike, të cilët kanë nisur punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë”, thuhet në njoftim.
Mes masave të marra deri më tani përfshihen:
Analiza fillestare e komprometimit dhe identifikimi i pikave të hyrjes së sulmit;
Izolimi dhe kufizimi i përhapjes në sistemet e tjera të ndërlidhura;
Hapat e parë për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
Rekomandime për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes së infrastrukturës.
AKSK thekson se po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit, AKSHI-n dhe institucionet e tjera përgjegjëse për analizën e malware-it dhe rikthimin e plotë të funksionalitetit.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në fund të reagimit.
Ky nuk është rasti i parë që Shqipëria përballet me sulme kibernetike nga grupi “Homeland Justice”, i cili ka qenë më herët i lidhur me incidente të ngjashme që synojnë infrastrukturën digjitale të vendit./K.C/dritare.net

















