Nga detergjenti i gabuar te temperatura dhe tharësja, këto zakone mund t’ju dëmtojnë rrobat
Dritare.net

Mënyra se si lajmë dhe thajmë rrobat ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e tyre. Ekspertët këshillojnë të shmangim disa zakone të zakonshme që mund të zbehin ngjyrat, dëmtojnë materialet dhe harxhojnë më shumë energji.
1. I njëjti detergjent për çdo rrobë
Detergjentët pluhur mund të përmbajnë përbërës zbardhues që me kalimin e kohës zbehin rrobat e errëta. Për rrobat me ngjyra rekomandohen detergjentë të lëngshëm, ndërsa për materialet delikate është më mirë të përdoren detergjentë të posaçëm.

2. Larja e tepërt ose shumë e rrallë
Jo çdo veshje ka nevojë të lahet pas çdo përdorimi. Larjet e panevojshme mund të konsumojnë më shpejt pëlhurat. Rrobat duhet të lahen në varësi të përdorimit, djersitjes dhe nivelit të papastërtisë.

3. E njëjta temperaturë për çdo larje

Rrobat pak të ndotura mund të lahen në temperatura më të ulëta, si 20°C ose 30°C. Ndërsa peshqirët, çarçafët dhe rrobat shumë të ndotura mund të kërkojnë temperatura më të larta, sipas etiketës së veshjes.
4. Injorimi i erës së keqe të lavatriçes

Mbetjet dhe lagështira mund të favorizojnë krijimin e mykut. Pastrimi periodik i kazanit, sirtarit të detergjentit dhe filtrit ndihmon në mbajtjen e lavatriçes të pastër.
5. Futja e çdo rrobe në tharëse

Nxehtësia mund të dëmtojë disa materiale. Rroba banje, geta, xhinse, këpucë dhe veshje me zbukurime duhen kontrolluar në etiketë dhe, në shumë raste, është më mirë të thahen në ajër.
Me disa ndryshime të thjeshta në mënyrën e larjes dhe tharjes, rrobat mund të ruhen më gjatë dhe të reduktohet edhe konsumi i ujit dhe energjisë./L.F-dritare.net