
Moti në Shqipëri për fundjavën e Pashkës pritet të jetë kryesisht i qëndrueshëm dhe me temperatura pranverore, duke favorizuar udhëtimet dhe aktivitetet në natyrë. Sipas parashikimeve meteorologjike dita e shtunë do të karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira të lehta, ndërsa temperaturat do të arrijnë deri në 22°C në zonat e ulëta të vendit. Temperaturat minimale gjatë mëngjesit pritet të zbresin rreth 7-9°C, ndërsa reshjet janë të pakta dhe lokale.
Ndërkohë, e diela, parashikohet edhe më e ngrohtë, me intervale të gjata me diell dhe temperatura që mund të arrijnë deri në 24°C. Moti do të jetë i favorshëm për lëvizje dhe aktivitete festive, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në qytetet kryesore.
Kushtet atmosferike të qëndrueshme pritet të vijojnë edhe në fillim të javës së ardhshme, me rritje të mëtejshme të temperaturave dhe mot tipik pranveror në të gjithë vendin.
Kjo fundjavë e Pashkës pritet të shoqërohet me fluks lëvizjesh, ndërsa moti i mirë pritet të favorizojë udhëtimet drejt zonave turistike dhe vizitat familjare në të gjithë Shqipërinë./K.C/dritare.net