Moti në vend pritet të mbetet i paqëndrueshëm edhe gjatë ditëve në vijim, me alternime kthjellimesh, vranësira të dendura dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Fundjava do të karakterizohet nga kushte atmosferike të ndryshueshme. Të shtunën parashikohen intervale me diell, por edhe vranësira të shpeshta që do të sjellin reshje shiu, ndërsa në disa zona priten rrebeshe dhe shtrëngata afatshkurtra.
Ndërkohë, dita e diel pritet të sjellë përmirësim të motit, me kthjellime dhe vranësira kalimtare në pjesën më të madhe të vendit.
Edhe java e ardhshme do të nisë me mot të luhatshëm. Pavarësisht intervaleve me diell, meteorologët parashikojnë rikthim të reshjeve dhe shtim të vranësirave në disa qarqe.
Sa i përket temperaturave, fundjava do të shënojë vlera deri në 26 gradë Celsius, ndërsa gjatë javës së ardhshme termometri pritet të ngjitet deri në 29-30 gradë.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, me shpejtësi që në momente të caktuara mund të arrijë deri në 22 metra për sekondë./K.C/dritare.net