Mbretëreshat veshin Prada. Firma luksoze partnere me ekipin kinez të futbollit të femrave!
Dritare.net
Marka e njohur Prada, ka prezantuar koleksionin e ri por këtë herë me një stil ndryshe, kjo falë bashkëpunimit me një ekip kombëtar të futbollit në Kinë, ku protagoniste ishin femrat.
Në lançimin e koleksionit, marka prezantoi një foto të skuadrës e cila ishte stiluar me kostume të errëta, këmisha të bardha dhe këpucë lëkure, etiketa luksoze, ku citonte "imazh i freskët dhe modern jashtë fushës", përpara Kupës së Botës FIFA për femra këtë verë.
Postimi u bë shpejt viral në faqen e Weibo, ku është klikuar mbi 300 milionë herë, ku në komentet e tyre lexuesit shkruanin "Mbretëreshat veshin Prada", “Këto ambasadorë janë vërtet pozitivë dhe frymëzues, ndërsa janë shembull i fuqisë femërore".
Përdoruesit e Weibo-s gjithashtu vunë re se zgjedhja e partnerëve të Prada-s pason pas një varg skandalesh të kohëve të fundit rreth ambasadorëve të saj të famshëm kinezë.
Në vitin 2021, labeli anuloi kontratën me aktoren Zheng Shuang pasi ish-partneri i saj e akuzoi atë se kishte braktisur dy foshnjat e tyre në Shtetet e Bashkuara. (Duke u përgjigjur në Weibo në atë kohë, Zheng nuk adresoi drejtpërdrejt akuzat për mosmarrëveshjen e zëvendësimit, por tha se ajo "nuk ka shkelur udhëzimet e shtetit ndërsa ishte në tokën kineze dhe ka respektuar të gjitha ligjet”).
Kohët e fundit, labeli është distancuar nga ish-ambasadori i markës Cai Xukun, pasi një grua e paidentifikuar me të cilën ai ishte përfshirë seksualisht tha se ajo kishte kryer një abort me kërkesë të supozuar të këngëtarit.
Disa përdorues të mediave sociale e shfajësuan Pradën nga skandalet ku ishte përfshirë dhe komentonin mirësisht:
“Është e mrekullueshme që Prada dhe ekipi ynë i futbollit të femrave kanë partneritet me njëri-tjetrin!”
“Nuk ishte problemi i Prada-s, por çështjet personale të të famshmëve. Prada ishte gjithashtu një viktimë.”
Një përdorues tjetër ndërkohë sugjeroi se kombëtarja e Kinës, e cila aktualisht renditet në vendin e 14-të në botë, është "nga liga e Prada".
Të tjerë e kritikuan këtë koleksion pasi sipas tyre dukej shumë mashkullore ku shkruanin “Prada mund të bëjë më mirë për vajzat”, lexohet në një koment.
Shtëpia e modës dhe kompania e saj mëmë LVMH kanë raportuar rritje të shitjeve në Kinë që kur ajo u rihap pas pandemisë Covid-19. Në maj, Prada njoftoi se shitjet rajonale në rajonin e Azisë Paqësorit ishin rritur 22% në tremujorin e parë të 2023.
Skuadra kineze e femrave do të luajë kundër Danimarkës, Haitit dhe kampiones së Europës, Anglisë, në fazën e grupeve të turneut, që nis të enjten e ardhshme në Auckland të Zelandës së Re./dritare.net