Messi drejt historisë. A po i jep lamtumirën Kupës së Botës?
Dritare.net

Lionel Messi është vetëm një fitore larg hyrjes në historinë e futbollit botëror. Argjentina do të përballet me Spanjën në finalen e Kupës së Botës 2026, duke synuar të bëhet vetëm kombëtarja e tretë që fiton dy tituj radhazi, pas Italisë (1934, 1938) dhe Brazilit (1958, 1962).
Nëse "Albiceleste" triumfon, Messi do të bëhet kapiteni i parë në histori që ngre dy herë trofeun e Kupës së Botës. Në të njëjtën kohë, ai është vetëm një gol larg Kylian Mbappé në garën për t'u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e turneut.
Në moshën 39-vjeçare, Messi ka zhvilluar një tjetër turne të jashtëzakonshëm. Ai ka shënuar tetë gola në shtatë ndeshje dhe ka qenë vendimtar në rrugëtimin e Argjentinës drejt finales. Plot 15 nga 21 golat e tij në Kupën e Botës janë realizuar në edicionet 2022 dhe 2026, duke dëshmuar se vazhdon të jetë lideri absolut i skuadrës.
Trajneri Lionel Scaloni nuk i kurseu elozhet për kapitenin e tij, duke e cilësuar si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.
"Messi është histori, është një legjendë. Të arrish një finale në moshën 39-vjeçare është diçka e pabesueshme. Duhet ta shijojmë sa e kemi ende në fushë," u shpreh Scaloni.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse finalja e së dielës do të jetë ndeshja e fundit e Messit në Kupën e Botës. Vetë trajneri argjentinas tha se nuk kanë diskutuar ende për të ardhmen e tij me kombëtaren.
Eksperti spanjoll i futbollit, Guillem Balague, beson se ylli argjentinas mund të vazhdojë edhe deri në Botërorin 2030. Sipas tij, pasioni i Messit për fanellën e Argjentinës mbetet i paprekur dhe kjo mund ta shtyjë të luajë edhe në turneun jubilar, ku disa ndeshje do të zhvillohen pikërisht në Argjentinë.
Nëse do të marrë pjesë edhe në Kupën e Botës 2030, Messi do të ishte 43 vjeç dhe do të vendoste një tjetër rekord të jashtëzakonshëm në karrierën e tij.
Përveç objektivit për të fituar një tjetër trofe, Messi vazhdon të thyejë rekorde. Ai është lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kupës së Botës, futbollisti i vetëm që ka fituar dy herë çmimin "Topi i Artë" të turneut dhe rekordmeni për asistet në historinë e Botërorit, me 12 të tilla. Finalja e vitit 2026 do të jetë gjithashtu finalja e tij e tretë në Kupën e Botës, një tjetër arritje që e konfirmon si një nga ikonat më të mëdha të futbollit./L.F-dritare.net