
Si ta përballoj ndarjen. Këshilla e psikologes për të renë!
Dritare.net
Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila
Unë që po ju drejtohem jam një vajzë që kam 6 javë që jam ndarë nga një lidhje e gjatë. Këto kohë jam tepër e mërzitur dhe nuk po di si ta kaloj këtë situatë. Ju lutem nëse mund të më ndihmoni për ta përballuar sa më lehtë ndarjen. Ju falënderoj!
Psikologe Enertila Bekteshi, përgjigjet
E dashur lexuese e Dritare.net
Fundi i një marrëdhënieje është një zi e vërtetë që kërkon kohë të ndryshme për t'u përpunuar nga personi në person. Trishtimi, frika, zemërimi, faji, një ndjenjë dështimi, një ndjenjë zbrazëtie dhe pendimi janë disa nga emocionet që mund të përjetoni nëse aktualisht jeni duke kaluar një ndarje. Këto përvoja janë të lidhura me një sërë ndryshimesh në jetën e përditshme që kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme, nga ato praktike, si organizimi i ditës, deri tek aspektet emocionale dhe ato që kanë të bëjnë me rolin dhe identitetin e dikujt.
Me përfundimin e marrëdhënies do të duhet të mësoni të rifitoni identitetin tuaj duke e ndarë atë nga ai i partnerit tuaj. Zakonisht ajo që është më e vështira është të shkëputemi emocionalisht nga partneri. Për të rifituar ekuilibrin dhe për të rimarrë kontrollin e jetës suaj e dashur lexuesja jonë unë do t’ju sugjeroja se mund të provoni të vini në praktikë dhe mund të bëni gjërat e vogla rutinë si pagimi i faturave, menaxhimi i punëve të shtëpisë, etj.
Kjo do t'ju ndihmojë të përforconi besimin tuaj. Ju gjithashtu mund të bëni, një listë të gjërave që nuk po bënit dhe të përpiqeni t'i bëni ato, duke marrë parasysh mendimet dhe ndjenjat që vijnë. Kërkimi dhe pranimi i ndihmës nga njerëzit e afërt ju bën të ndiheni më pak të vetmuar dhe ju jep mundësinë të ndani emocionet tuaja dhe të flisni për atë që ju lëndon. Të ndash nuk do të thotë të ankohesh dhe të jesh barrë për të tjerët, por thjesht të lëshosh atë që ke brenda për ta parandaluar atë të grumbullohet dhe të të sjellë vuajtje të mëtejshme.
Ju , mund të reflektoni me një mik mbi ndjenjat dhe ndjesitë që përjetoni kur mendoni për ish-in tuaj. E dashur lexuesja jonë përpiquni të reflektoni për aspektet e kësaj situate që janë më të vështira për t'u menaxhuar dhe, anasjelltas, për aspektet që jeni në gjendje t'i përballoni me më pak vështirësi. Në situata të vështira si kjo, çështjet tona kritike dalin në dritë, por në të njëjtën kohë mund të vërejmë një potencial për të cilin nuk ishim në dijeni. Ajo që po përjetoni mund të bëhen një mundësi për rritje personale. Çdo gjë në kohën e vet sigurisht dhe mbi të gjitha në kohën tuaj. Reflektoni për atë që ju ka pëlqyer gjithmonë të bëni, por ndoshta gjithmonë e keni shtyrë ta bëni atë për t'i lënë vend marrëdhënies tuaj. E dashur lexuesja jonë përpiquni të kuptoni se çfarë ju bëri të përfundoni lidhjen. Ky ndërgjegjësim mund t'ju ndihmojë të gjeni pak paqe dhe të shmangni të njëjtat gabime në të ardhmen.
Këto janë vetëm disa sugjerime që mund të provoni t'i zbatoni në praktikë. Nëse dhimbja që po përjetoni ndërhyn ndjeshëm në jetën tuaj të përditshme, mund t'ju duhet ndihmë profesionale. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë në situatën tuaj. Gjithë të mirat./dritare.net

















