Sa herë ndjehem keq vetëm ha pa kontroll. Si ta menaxhoj veten!
Dritare.net
Përshëndetje psikologe Enertila!
Unë që ju shkruaj jam një vajzë e cila kur ndihem keq emocionalisht i drejtohem ushqimit. Ka periudha të cilat më kufizojnë edhe nga aktivitete sociale pasi qëndroj në shtëpi dhe vazhdoj ha sasi të mëdha ushqimi pa e kontrolluar veten. Kjo më ndodh kur emocionalisht jam e rënduar. Të lutem më ndihmoni. Punë të mbarë!
Psikologe Enertila Bekteshi, përgjigjet!
Përshëndetje lexues të Dritare.net
Edhe pse varësia ndaj ushqimit nuk konsiderohet një çrregullim klinik ne hamë më shumë kur ndihemi keq emocionalisht. Në fakt, ushqimi mund të shkaktojnë procese fiziologjike në tru por nuk mund të them se ka një varësi ndaj ushqimit. Shmangia sociale në mënyrë që të qëndroni në shtëpi dhe të hani, lodhje kronike dhe pakësim i energjisë apo ngrënia e më shumë ushqim sesa tolerohet mund të konsiderohen se një person vuan nga konsumimi i tepërt ndaj ushqimit.
E dashur lexuesja jonë çdokush mund të zhvillojë një tendencë të theksuar ndaj ushqimit ,dhe ka disa shkaqe që priren të rrisin shanset për të vuajtur prej tij . Konsumimi i ushqimeve të pasura me karbohidrate, yndyrë, kripë, sheqer ose ëmbëltues artificialë mund të shkaktojë një proces të ngjashëm me varësinë tek disa njerëz. Këto lloj ushqimesh mund të ndikojnë në trurin tonë në të njëjtën mënyrë si droga dhe alkooli. E dashur lexuesja jonë nga stresi njerëzit mund t'i drejtohen disa ushqimeve për të përballuar depresionin dhe ankthin. Konsumimi i tepërt ndaj ushqimit mund të zhvillohet edhe tek njerëzit që po përballen me një rikthim të ngjarjeve traumatike.
Konsumimi i disa ushqimeve mund të shërbejë për të qetësuar trishtimin apo nervat e prodhuara nga këto kujtime. Kur një person konsumon më tepër ushqim kur ndihet keq , ai shpesh ndjehet sikur është i bllokuar në një rreth vicioz. Në fakt, në shumë raste ushqimi i padëshiruar përdoret për të përballuar emocionet negative dhe duke konsumuar këto ushqime, njerëzit mund të ndihen më keq pavarësisht shpërblimit të menjëhershëm që përjetojnë.
Prandaj, një nga hapat e parë për t'u marrë me konsumimin e tepërt të ushqimit kur ndihemi keq emocionalisht është të kuptojmë pse ndihemi keq, domethënë të frustruar, nervozë ose të stresuar. Duke kuptuar shkakun, ne mund ta trajtojmë problemin duke u përpjekur të zgjidhim shkaqet e tij. Një mënyrë tjetër për t'u përballur me emocionet që na shtyjnë drejt ushqimeve është të flasim për këtë me një person të besuar. Me mbështetjen e dikujt rreth nesh, njerëzit mund të përpiqen të merren me këto emocione dhe ndjenja negative. Në fund lexuesja jonë dua tu them se një specialist jo vetëm që do t'ju japë orientimin e përshtatshëm për të përballuar këtë varësi, por gjithashtu do t'ju ndihmojë të gjeni problemin që e shkakton situatë. Uroj shumë që këndvështrimi im tu ndihmojë në situatën tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net