
Prekem dhe qaj shpejt. Ja këshilla e psikologes!
Dritare.net
Përshëndetje psikologe Enertila
Unë që ju shkruaj jam një vajzë e cila zemërohem shumë shpejt dhe qaj shumë kollaj. Si mund të më ndihmoni? Ju faleminderit.
Psikologe Enertila Bekteshi, përgjigjet!
Përshëndetje lexuesja jonë
E qara është forma jonë e parë e komunikimit. Kur jemi fëmijë dhe nuk flasim akoma qajmë sepse jemi të uritur, sepse jemi të lodhur dhe gjithashtu kur kërkojmë pak dashuri dhe vëmendje. Ndërsa rritemi, lotët mund të shprehin, midis ndjenjave të tjera, trishtim, frikë, gëzim dhe madje edhe zemërim. Për të kuptuar përse qajmë është e rëndësishme të dimë se çfarë ndodh në trupin tonë gjatë momenteve të zemërimit.
Kur një person zemërohet, sistemi i tij nervor qendror e vihet menjëherë në gatishmëri, duke shkaktuar një sërë reagimesh fizike. Ky mekanizëm është instinktiv. Shumë herë, niveli i stresit të krijuar nga zemërimi është aq i madh sa nuk jemi në gjendje të kthehemi në gjendjen tonë racionale dhe të shpjegojmë me fjalë atë që ndjejmë. Për këtë arsye ne qajmë. E qara në situata të zemërimit ndihmon, ndër të tjera, në uljen e tensionit.
Lotët e shkaktuara nga një gamë e gjerë emocionesh, duke përfshirë zemërimin vijnë si përgjigje ndaj emocioneve të forta, por ato gjithashtu mund të kenë një qëllim më kompleks. E qara është një formë e komunikimit joverbal, e cila shërben për të gjeneruar ndjeshmëri ose për të marrë mbështetje. Përveç kësaj, lotët përmbajnë një qetësues natyral që lëshohet gjatë të qarit. Kjo është arsyeja pse ne ndihemi më mirë pasi kemi qarë. E qara është e mirë për shëndetin pasi mund të ulë presionin e gjakut , duke e bërë personin të ndihet më i qetë dhe më i relaksuar, përmes lotëve eliminohen toksinave që mund të shkaktojë lodhje, acarim. Të qarat janë diçka e natyrshme dhe e nevojshme në shumë raste ,por nuk është gjithmonë e nevojshme të qash për të kontrolluar zemërimin.
E dashur lexuesja jonë në këndvështrimin tim do t’ju sugjeroja se mënyra më e mirë për të menaxhuar zemërimin është të mendoni para se të flisni. Merrni frymë thellë dhe pushoni për disa minuta për të mbledhur mendimet tuaja përpara se të flisni. Të qenit fizikisht aktiv është një nga mënyrat më të mira për të reduktuar stresin. Bëni një shëtitje ose luani një sport që ju pëlqen kur ndjeni se zemërimi juaj po rritet. Dëgjo muzikë lexuesja jonë.
Muzika ka aftësinë të ndryshojë disponimin tonë sepse ndikon në emocionet tona. Nëse dëgjoni muzikë relaksuese kur jeni të zemëruar, ka shumë të ngjarë të ndiheni më të qetë më pas. Mbani një ditar. Marrja e kohës për të shkruar atë që po ju ndodh mund t'ju ndihmojë të reflektoni mbi ndjenjat tuaja dhe të gjeni mënyrën më të mirë për t'i menaxhuar ato. Lexuesja jonë kur është e mundur, përdorni humorin për të lehtësuar tensionin. Kjo ju ndihmon të ulni vigjilencën dhe të gjeni zgjidhje për atë që ju shqetëson. Shpresoj shumë që këndvështrimi im tu ndihmojë sadopak. Gjithë të mirat!/dritare.net

















