
Ndiej pasiguri në marrëdhëniet me djemtë. Çfarë të bëj?
Dritare.net
Përshëndetje Psikologe Enertila
Unë që ju shkruaj jam një vajzë 26 vjeçe dhe kam shumë problem me veten time pasi nuk ndiej siguri në marrëdhënie me djemtë dhe kjo po kthehet në një problem shumë të madh për mua. Dua të di nga ju çfarë më bën mua të pasigurt në një marrëdhënie dhe si mund ta ndihmojë unë veten time? Ju falënderoj dhe suksese.
Përgjigjet psikologe Enertila Bekteshi
Përshëndetje lexuesja jonë!
Ndjenja e pasigurisë në një lidhje është një ndjenjë shumë e zakonshme Mungesa e vetëbesimit nuk ndikon vetëm në marrëdhëniet e dashurisë, por gjithashtu do të thotë që ju dyshoni në aftësitë tuaja personale dhe profesionale. Njerëzit që janë të pasigurt në marrëdhëniet e tyre kanë tendencë të kontrollojnë vazhdimisht partnerin e tyre, edhe nëse nuk kanë arsye për këtë.
Ndjenja e tepërt e xhelozisë ndaj njerëzve të tjerë në jetën e partnerit tuaj mund të jetë një shenjë e pasigurisë në dashuri. Nëse mendoni se partneri juaj po ju gënjen, edhe pse nuk ka arsye për këtë, ka shumë mundësi që të jeni të pasigurt në dashuri.
Ndjenja se diçka mund të shkojë keq në çdo moment në lidhje është një tjetër shenjë e pasigurisë ose mosbesimit të tepruar.
Në përgjithësi, njerëzit mund të vuajnë nga pasiguria në marrëdhënie për arsyet nga më të ndryshmet siç mund të jenë edhe marrëdhëniet e pakëndshme të së kaluarës dhe vetëbesimi i ulët. Shpesh kur ka abuzime në fëmijëri, adoleshencë ose moshë madhore mund ta kenë shumë të vështirë t'u besojnë njerëzve, veçanërisht në marrëdhëniet e ngushta. Frika nga refuzimi nga të tjerët mund t'i bëjë njerëzit shumë të pasigurt në dashuri. Arsyeja është se edhe pengesat ose problemet e vogla mund të shkaktojnë këtë frikë.
E dashur lexuesja jonë në këndvështrimin tim për situatën tuaj do t’ju sugjeroja të identifikoni shkaktarët mundohuni të ndërgjegjësoheni për situatat që mund të shkaktojnë këtë pasiguri. Mundohuni të bëni analizimin e momenteve kur ndiheni të pasigurt ose nuk keni besim te partneri juaj. Gjithashtu kur përballeni me mendime kritike ose mosbesim në marrëdhënie, përpiquni të kuptoni nëse është në të vërtetë racionale apo jo.
Është e rëndësishme që të përpiqeni të komunikoni me partnerin nëse mendoni se diçka po krijon pasiguri në marrëdhënien tuaj. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të mos fajësoni partnerin për ndjenjat tuaja, por thjesht të thoni se si ju bën të ndiheni një situatë ose sjellje.
Pasiguria në dashuri është shpesh për shkak të vetëbesimit të ulët.
Të jetosh me pasiguri, qoftë në dashuri apo me veten, mund të përfundojë duke na ndikuar psikologjikisht. Për këtë arsye është e rëndësishme të punoni në këtë aspekt dhe të merrni kontrollin e mendimeve që mund të minojnë besimin si në marrëdhënie ashtu edhe në nivel personal. Besimi është një nga themelet e çdo marrëdhënieje të shëndetshme. Uroj shumë që këndvështrimi im t’u ndihmoj gjithë të mirat./dritare.net

















