Letër psikologes/ Vajza qan sa herë shkon në kopsht. Si të sillemi me të?
Dritare.net
Përshëndetje psikologe Enertila
E nderuar, edhe pse kopshti tashmë ka javë që ka nisur vajza ime 5-vjeçare nuk po arrin të përshtatet, qan sa herë e çojmë. Edukatoret tregojnë se gjatë qëndrimit atje vajza nuk ka problem. Unë si nënë po shqetësohem dhe nuk di si të mendoj e të sillem. Ju faleminderit!
Psikologia Enertila Bekteshi, përgjigjet:
Përshëndetje e dashur lexuesja jonë!
Të qash është një mënyrë për të çliruar tensionin , ndodh që fëmija të trishtohet gjatë mëngjesit, sepse nëna e tij i vjen në mendje ose ai është i çorientuar. Është e rëndësishme të mos ia transmetoni ankthet tuaja dhe ta shoqëroni në këtë përvojë të re me qetësi. Fëmija duhet të ndjehet i dashur dhe i siguruar. Duhet të kuptojë që të shkojë në kopsht është e rëndësishme, sepse ai mund të jetë me fëmijë të tjerë dhe të argëtohet, por ajo që ka në shtëpi nuk do të ndryshojë. Dashuritë e tij janë të pandryshuara dhe ai do t'i gjejë atje ku i la. Një tjetër gjë e rëndësishme për t'i thënë është se gjithmonë do ta merrni dhe do të qëndroni me të. Mbase t'i tregoni për planet e mbrëmjes kur kthehet nga kopshti, pyeteni nëse ka ndonjë pjatë që dëshiron të hajë. Në këto raste është gjithmonë mirë të mësoni ta lini fëmijën në krahët e edukatorëve, duke i dhënë fëmijës qetësi dhe besim te personi që do të kujdeset për të. Tregoni besim tek edukatori dhe te fëmija juaj. Gjëja e parë që duhet të bëni, është të qëndroni të qetë në lidhje me vendimin tuaj për ta bërë atë të shkojë në kopsht. Një strategji tjetër e shkëlqyeshme për të bindur një fëmijë që nuk dëshiron të shkojë në kopsht është ajo e shpërblimit. Një shpërblim i vogël mund ta stimulojë fëmijën.
Duhet të shmangni përdorimin e ndëshkimeve, kërcënimeve . Nëse shqetësimi nuk zhduket me kalimin e kohës, do të jetë e këshillueshme të vlerësoni me ndihmën e një psikologu nëse fëmija është në moshën e duhur dhe në shkallë të pjekurisë për të përballuar ndarjen për të shkuar në kopsht. Ju falënderoj e prindërim të mbarë!/dritare.net