Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Letër psikologes/Po çmendem nga stresi në punë. Çfarë të bëj?

Letër psikologes/Po çmendem nga stresi në punë.

Dritare.net përshëndetje. Ka disa muaj që nuk po ndjehem mirë në punë, punoj në zyrë në një institucion. Asgjë nuk ka ndryshuar por unë duket se po stresohem më shpejt kohët e fundit gjatë punës. Nuk arrij ta kuptoj përse dhe se çfarë duhet të bëj për ta kaluar! Faleminderit.

Psikologia Enertila Bekteshi, përgjigjet:

Përshëndetje dhe ju falënderoj për pyetjen tuaj!

Në përgjithësi, stresi identifikon një gjendje në të cilën individi nuk ndihet në gjendje të korrespondojë me kërkesat ose pritjet e mjedisit. Në kontekstin e punës, ky çekuilibër mund të ndodhë kur punëtori ndihet i paaftë për të përmbushur kërkesat e punës. Jo të gjitha manifestimet e stresit në punë mund të konsiderohen si stres i lidhur me punën. Stresi i lidhur me punën shkaktohet nga faktorë të ndryshëm siç janë përmbajtja e punës, menaxhimi jo i mirë, ambienti i punës dhe mangësitë e komunikimit. Puna nën një presion mund të përmirësojë performancën dhe të sjellë kënaqësi kur përmbushen qëllimet sfiduese. Në të kundërt, kur kërkesat dhe presioni bëhen të tepërta, ato shkaktojnë stres. Stresi mund të shkaktohet gjithashtu edhe nga mënyra e organizimit të punës në vendin e punës dhe nga detyrat që duhet të bëhen. Shkaqet e stresit mund të jenë edhe atmosfera në vendin e punës dhe mënyra se si shikohet stresi.

Për të zvogëluar rrezikun e lëndimeve dhe stresit në punë, këshilloj:

Mos lejoni që puna të bëhet interesi i vetëm në jetë

Saktësia, përkushtimi dhe përpikmëria nuk duhet të bëhen mani

Bëni gjithnjë më të mirën tuaj, me vullnet të mirë dhe vendosmëri

Vendosni qëllimet dhe planifikoni në një mënyrë të arsyeshme dhe të qëndrueshme

Jini fleksibël dhe mësoni se si ta riorganizoni shpejt punën tuaj nëse ndryshojnë kërkesat.

Nëse ndiheni të mbingarkuar nga sasia e punës ndaloni për disa minuta

Jini pozitiv dhe të vetëdijshëm për aftësitë tuaja

Mos i merrni problemet tuaja në shtëpi

Në kohën tuaj të lirë nga puna, përpiquni sa më shumë që të hiqni vëmendjen,

Nëse është e nevojshme, bëni një pushim nga puna për të pushuar

Nëse ankthi dhe stresi në punë bëhen të pakontrollueshme dhe rrezikojnë cilësinë e jetës , këshillohuni me një psikolog për të identifikuar një qasje terapeutike.

Shpresoj shumë që këto pak këshilla t'u ndihmojnë për të reaguar pozitivisht dhe për të parandaluar ndikimin e shëndetit tuaj dhe humorit të mirë. Ditë të mbarë./dritare.net