
Kur zgjohem në mëngjes kam gjendje ankthi, çfarë të bëj?
Dritare.net
Përshëndetje Psikologe Enertila!
Jam një zonjë rreth të 40-ave. Prej disa javësh kur zgjohem në mëngjes kam një gjendje ankthi, apo mërzitje, një humor të keq që as vet nuk e kuptoj përse e kam. Në fillim fare mezi zgjohem nga gjumi pastaj filloj të ndihem keq në orët e para të mëngjesit. Çfarë të bëj ? Si mendoni ? Ju falenderoj .
Përgjigjet psikologe Enertila Bekteshi!
Përshëndetje lexuesja jonë!
Ankthi i mëngjesit nuk duhet nënvlerësuar. Ky lloj ankthi mund të zgjasë e mund të jap edhe pasoja jo të këndshme. Në këndvështrimin tim do t’u rekomandoja që sapo të të shfaqet ankthi, merrni frymë thellë , dhe ndërgjegjësohuni për faktin se janë ndjesitë që ju bëjnë të ndjeheni në këtë gjendje. E dashur lexuesja jonë ju duhet të mundoheni të kuptoni mesazhin e ankthit tuaj në mëngjes. Ndoshta do t’u ndihmonte rregullimi i zakoneve tuaja. Mundohuni të shmangni alkoolin, pirjen e duhanit, kafen, ushqimet e yndyrshme në mbrëmje para gjumit. Mendoj se duhet të shkoni në shtrat në kohën e zakonshme, mos u vononi duke u marr me diçka gjatë orëve të vona.
Mundohuni të ndryshoni qëndrimin tuaj në të menduar, sa më shumë që mendoni se jeni e sëmurë, aq më shumë do të ndjeheni vërtet keq, dhe aq më shumë ankthi në mëngjes do të rritet. Sporti do t’u ndihmonte shumë qofshin këto disa teknika të stërvitjes apo meditim, ose joga . Në opinionin tim këto janë praktika shumë të zakonshme që ju lejojnë të përqendroheni në pjesë të caktuara të trupit për të stimuluar relaksim dhe ndryshimin e gjendjes tuaj.
Kjo lloj situate që ju përjetoni lidhet ngushtmërisht me aktivitetet tuaja ndaj mundohuni ti organizoni sadopak dhe më mirë ato. Ju uroj që situata juaj të ndryshojë sa më parë e t’u kem ndihmuar. Gjithë të mirat./dritare.net

















