
Kur ndihemi të vëzhguar nga të tjerët! Këshilla e psikologes për të renë!
Dritare.net
Përshëndetje psikologe Enertila
Unë që ju drejtohem jam një vajzë e cila kam ndjenja të çuditshme kohët e fundit. Kam filluar të mendoj se vëzhgohem nga të tjerët dhe po filloj të kem frikë. Dua të di nga ju ç’është kjo ndjenjë dhe si mund ta kaloj më lehtë. Të lutem më thuaj diçka ,ju falënderoj.
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet!
Përshëndetje lexues të Dritare.net
Kur dikush na shikon, ne mund të provojmë pasiguri apo edhe nervozizëm. Por kur këto emocione bëhen aq intensive sa ndikojnë në jetën tonë, mund të jetë një shenjë fobie e të qenit të vëzhguar nga të tjerët. Në rastin e kësaj frike, mund të ndodh të ndaloni së kryeri aktivitetet e përditshme ose gjërat që dëshironin të bënin për shkak të saj. Në raste ekstreme, kjo situatë mund të dëmtojë përqendrimin në shkollë ose në punë. Njerëzit që vuajnë prej kësaj ndjenje ndihen nervoz dhe të shqetësuar kur ndjejnë se dikush po i shikon duke shkaktuar ankth, shqetësim të tepruar, ndrojtje ekstreme, sulme paniku.
Kjo frikë mund të shfaqet si një simptomë e ankthit social.
Nëse vuani nga ky çrregullim, gjenetika mund të jetë një faktor kontribuues. Kjo do të thotë, nëse keni një të afërm të ngushtë që përjeton situate të tilla, mund të rriten shanset për t'u prekur në mënyrë të ngjashme. Gjithashtu, çdo përvojë që keni pasur që ju bën të keni frikë nga refuzimi, gjykimi ose kritika mund të çojë gjithashtu në frikën se dikush po shikon çdo lëvizje. Në këndvështrimin tim e dashur lexuesja jonë do t'u sugjeroja disa masa që mund të merrni për të përballuar ndjenjat e frikës ose ankthit që lidhen me këtë ndjesi.
Si fillim do tu sugjeroja të merrni në konsideratë njohjen e kësaj frike. Të kuptuarit pse shfaqet kjo frikë dhe mbi të gjitha të dish se çfarë është dhe kur mund të vuash prej saj, mund t'ju ndihmojë të përballeni më mirë me simptomat e këtij çrregullimi. Përqendrohuni në kujdesin për veten tuaj e dashur lexuesja jonë. Përqendrimi në kujdesin për shëndetin tuaj fizik dhe mendor do t'ju ndihmojë gjithashtu të përballeni me simptomat e kësaj fobie. Kjo mund të përfshijë të hani një dietë të ekuilibruar, të ushtroni rregullisht, të keni zakone të mira të gjumit dhe të merrni kohë për t'u kujdesur për veten. Një mënyrë për t'u marrë me këtë fobi është të përpiqeni ta punoni gradualisht me të. Në këtë mënyrë, ju mund ta përballoni këtë frikë në situata ku ka më pak njerëz. E dashur lexuesja jonë përdorni teknika relaksimi. Përdorimi i strategjive të relaksimit ju jep një mjet të fuqishëm për menaxhimin e fobive. Në shumë raste, kjo ndjesi frike mund të përfundojë duke ndikuar në jetën tuaj dhe të vuani prej saj.
Pra, ballafaqimi me frikën për t'u vëzhguar nga të tjerët mund të jetë shumë i vështirë në shumë raste. Prandaj, është e rëndësishme të merrni nën kontroll këto emocione në mënyrë që ato të mos ju kufizojnë në jetën tuaj të përditshme. Nëse ju e dashur lexuesja jonë mendoni se nuk mundeni ta përballoni mjaftueshëm këtë ndjenjë, do t’ju sugjeroja gjithashtu të konsultoheshit me një specialist të shëndetit mendor dhe për ti dhënë fund këtij problem.
Shpresoj shumë që këndvështrimi im tu ndihmojë në situatën tuaj. Gjithë të mirat./dritare.net

















