
Jam njeri egoist. A është kjo një gjë e keqe? Përgjigjet psikologia!
Dritare.net
Përshëndetje Psikologe Enertila
Unë që ju drejtohem kam një problem i cili më pengon shumë në marrëdhënie me të tjerët. Shpesh herë tregohem egoist, kjo më shprehet edhe nga njerëzit të cilët më qëndrojnë afër. Më thonë se jam egoist. Të lutem ç’mund të më thuash për këtë situatë. Punë të mbarë faleminderit.
Përshëndetje lexues të Dritare.net
Të qenurit egoist nuk është gabim në vetvete, por ndikimi negativ që krijon ndaj të tjerëve që e mbulojnë aktin me ligësi. Shoqëria jonë duket se më së shumti po rrëmbehet nga sëmundja e egoizmit. Një prirje egoiste fillimin e ka nga vetja e cila fillon të perceptoj gjithcka në lidhje me veten vetëm për përfitimin e saj. Kjo përbën një shqetësim për të kënaqur dëshirat individuale dhe për të përmbushur po këto nevoja individuale. Egoja është përkufizuar si interesi ndaj vetes dhe si vetëbesim i tepruar. Sa më shumë që një individ të jetë i fiksuar pas vetes dhe që vepron po në bazë të kësaj, aq më shumë do të rritet edhe egoizmi i tij.
Ajo që e bën një veprim egoist është fakti se nuk e konsiderojnë me të vërtet mirëqenien e të tjerëve. Lexuesja jonë në këndvështrimin tim për të zvogëluar egoizmin do tu sugjeroja të jeni të hapur për të diskutuar me të tjerët. Mësoni të ndërveproni , ku marrëdhëniet me njerëzit e tjerë janë thelbësore dhe për këtë arsye të dini se si t'i dëgjoni ata. Të dish të dëgjosh është me të vërtetë një art që duhet trajnuar, sepse jo të gjithë e kanë natyrshëm këtë cilësi. Një cilësi tjetër themelore për të qenë më pak egoistë është të qenit empatik, domethënë të dish të përshtatemi me atë që gjendemi përballë, të identifikohemi pak me të tjerët për të kuptuar se çfarë ndjejnë këta njerëz, duke shmangur gjithmonë vendosjen e ndjesive dhe dëshirave tona në qendër.
Mësohuni të ndani lexuesja jonë. Filloni të jepni hua dhe të ndani gjithçka me të cilën jeni më të lidhur, stërviteni veten për të qenë bujarë. Hiqni dorë nga egocentrizmi që është brenda jush. Kur flasim për egoizëm, flasim edhe për egocentrizëm, sepse dihet që egoisti e vendos veten gjithmonë në qendër. Dua të them, është koha të ndalojmë së foluri vetëm për ty. Është shumë e rëndësishme t'i kushtoni vëmendjen tuaj të tjerëve, kjo është gjithashtu një demonstrim i madh i altruizmit, si dhe t'i bëni një favor dikujt pa pritur asgjë në këmbim.
Nëpërmjet këtyre sugjerimeve të vogla, sigurisht që do të jeni në gjendje të përmirësoni një anë të karakterit tuaj që duhet t'i kushtoni vëmendje, sepse ne kemi nevojë për të tjerët ashtu siç kanë nevojë të tjerët për ne, kështu që të jesh egoist nuk është e dobishme. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj. Gjithë të mirat!/dritare.net

















